E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos në postë, ngec vendimi për kartat 200 lekë

 

zirina llambro

Janë sorollatur dje gjithë ditën në sportelet e zyrave postare. Ashtu siç u ishte premtuar kanë dashur të blejnë kuponët 200 lekë për kartat e identitetit, por s’kanë mundur. Çmimi ka mbetur 1200 lekë si më parë, ndërsa vendimi i qeverisë në fuqi që prej një majit nuk është vënë në zbatim. ”Kam ardhur dy herë deri tani dhe më thonë që s’mund të blej kuponin, pasi nuk kanë marrë orientimet e duhura. Ne lëmë punën të jemi në rregull me shtetin, këta e kanë të vështirë të marrin orientimet”, shprehej jo pak i revoltuar një qytetar te zyra postare nr. 8 në Tiranë. E njëjta situatë kaotike edhe në shumë prej të tjerave. Deri pasdite nuk është gjetur asnjë zgjidhje. Qytetarët kanë mbetur të pakënaqur prej këtyre sorollatjeve, duke i cilësuar si krejt të papranueshme. ”U trumbetua si një arritje e madhe vendimi i qeverisë për të paguar 200 lekë të gjithë ata që s’kanë pasaporta, por se kur do vihet në zbatim se dimë”, komentonte një tjetër qytetar teksa dilte nga zyra e postës. Drejtues të Postës Shqiptare kanë bërë me dije se Ministria e Brendshme ka sjellë pranë sportelit të postës listën e atyre shtetasve që nuk e disponojnë një pasaportë për jashtë shtetit, por mungesa e udhëzimit nga Ministria e Financave e bën të pazbatueshëm këtë vendim. “Deri sa të vijë udhëzimi për mënyrën sesi do procedohet me këtë kategori është e pamundur ndarja e kuponëve. Ne garantojmë që me ta marrë këtë udhëzim do të ndajmë kuponët”, sqaruan drejtues të postës. Sakaq burime nga Ministria e Financave pohojnë se udhëzimi është duke u hartuar dhe se do t’u dërgohej që dje pasdite zyrave postare. Vendimi i qeverisë, i cili parashikon që pagesa për kuponët e kartave të identitetit të jetë 200 lekë për një sërë kategorish ka hyrë në fuqi që më datë 1 maj. Opozita shqiptare për muaj me radhë kërkoi tarifë zero për ata shtetas që nuk disponojnë një pasaportë ndërsa qeveria shqiptare, duke pretenduar se kishte plotësuar kërkesën e tyre vendosi të lërë këtë tarifë me 200 lekë dhe të kërkojë shumën tjetër prej 1 mijë lekësh në 6 muajt e ardhshëm, duke i lehtësuar qytetarët nga një pamundësi për ta paguar të gjithë tarifën që në fillim. Kategori të tjera, pensionistët, studentët dhe ata që marrin ndihmë ekonomike, e marrin kartën e identitetit kundrejt pagesës prej 200 lekë. Në vendimin e qeverisë janë parashikuar edhe penalizimet në rast se nuk zbatohen afatet e caktuara për aplikimin.

Kartat e identitetit, financat shpërndajnë udhëzimin

Ministria e Financave i ka dërguar dje Postës Shqiptare udhëzimin në bazë të së cilit do të kryhet edhe procedura e ndarjes së kartave të identitetit. Sipas këtij udhëzimi, do të pajisen me kuponë në zyrat postare përkatëse të njësive të qeverisjes vendore, kundrejt pagimit të tarifës prej 200 lekësh të gjithë shtetasit që deri në datën 28.06.2009 janë 18 vjeç e lart, nuk disponojnë pasaportë për jashtë shtetit si dhe nuk përfitojnë nga asnjë skemë kompensimi. Po kështu nga ky vendim përfitojnë edhe të gjithë shtetasit që votojnë për herë të parë, por që nuk janë në shkolla publike. Kjo kategori është e përfshirë në skemën e kompensimit, por sipas këtij vendimi kjo kategori përfituesish kuponët do t’i marrë në zyrat postare dhe jo në zyrat e njësive të pushtetit vendor. Në rast se shtetasi përfitues nuk figuron në listën e dërguar nga Ministria e Brendshme, por që nuk disponon pasaportë për jashtë shtetit, nëpunësi i zyrës postare i kërkon shtetasit një vërtetim nga Policia e Shtetit që nuk disponon pasaportë ose ai nënshkruan formularin sipas modelit bashkëngjitur vendimit. Ministria e Brendshme pajis zyrat postare me formularët e deklarimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›