E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ dhe Partitë pro datës së zgjedhjeve

26/04/2005  Gramoz Ruçi dhe Bamir Topi gjejnë konsensusin për dekretin e firmosur nga Moisiu

Presidenti i Republikës thërret shqiptarët në kutitë e votimit më datë 3 korrik

Partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë mbështetur dje dekretin e kreut të shtetit për të zhvilluar votimet më 3 korrik. Në këtë mënyrë, kreu i shtetit ka vendosur dhe startimin fushatës elektorale për partitë politike në vend. Dekretimi i datës 3 korrik, dje, nga ana e Presidentit të Republikës për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithëshme, përveçse ka shuar debatet e shumta të karakterit teknik, ka dhënë edhe pikën e referimit për të gjithë politikën shqiptare në vijimësi të këtyre muajve. Tashmë do të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ai që do të ketë peshën kryesore në të gjithë procesin elektoral në vend. Ndërkohë dhe përfaqësuesit e forcave politike qoftë nga opozita, qoftë nga mazhoranca, kanë shprehur konsensusin e tyre, lidhur me dekretin e Presidentit. Tashmë ajo që do të ishte konsensus mes forcave politike, titullohet vullnet i mirë për të zhvilluar një fushatë elektorale, duke zbatuar pikat e „Kodit të Sjelljes“ dhe respektim të verdiktit të popullit.

Deklaratat

Kreu i KQZ-së, Celibashi, tha se, “pasi janë pyetur Nano dhe Berisha, nga Presidenti i Republikës është caktuar data 3 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve. Kjo datë për KQZ-në nuk përbën ndonjë problem për sa i përket përgatitjes së infrastrukturës zgjedhore, pasi do të kishim çdo gjë gati, edhe nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor“. Ndaj Celibashi është shprehur se janë partitë, që duhet të shprehin vullnetin pozitiv.

Përplasja mes socialistëve dhe demokratëve për datën e zgjedhjeve është komentuar vetëm me terma kushtetues nga të dyja palët. Sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, në dekretin për zhvillimin e zgjedhjeve më 3 korrik “nuk bëhet fjalë për kërkesat e PS-së apo të PD-së. Pasi, duam apo nuk duam ne, duhet të pranojmë verdiktin e neneve të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”. Ndërsa Arta Dade tha se Kushtetuta nuk mund të ndryshohej ndaj dhe përpjekjet për të ndryshuar datën ishte një përpjekje për të cënuar Kushtetutën dhe kjo nuk është hera e parë që bëhet. Ndërsa demokratët, pavarësisht se kanë kërkuar afrimin e votimeve shprehen dakord.

Sipas nënkryetarit të PD-së, Bamir Topi, “Presidenti i Republikës ka vepruar brenda kontureve kushtetuese dhe ka vendosur datën më të afërt të mundshme të zgjedhjeve. Ne kishim menduar për një datë, e cila të ishte në favor të zgjedhësve“. Gjetja e konsensusit mes palëve për datën e votimit duket se ka ardhur pas rekomandimeve të shumta edhe nga institucionet dhe organizmat ndërkombëtare, që janë të lidhura ngushtë me zhvillimet në Shqipëri. Tashmë, më 3 korrik të gjithë shqiptarët do t'u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar dhe forcën politike, që do t'i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.

Dekreti i Moisiut

“Në bazë të nenit 92, gërma gj, e Kushtetutës dhe të nenit 7, pika 3, i ligjit 9087, datë 19.6.2003, të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, shpall publikisht datën e zgjedhjeve për Kuvendin. Për caktimin e datës së zgjedhjeve, edhe pse kjo është një kompetencë ekskluzive e Presidentit të Republikës, gjykova të konsultohesha me forcat politike, si aktorë kryesorë të zhvillimeve politike në vend. Ftesën për këtë konsultë ua kam drejtuar atyre që në dhjetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj kohe kam patur takime intensive dhe me faktorët ndërkombëtarë, të cilët janë angazhuar në këtë proces.

Në përfundim të këtij procesi konsultimesh, në bazë të Kushtetutës, vendosa të dekretoj si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme politike datën 3 korrik 2005.

Mendoj se ky është një moment i rëndësishëm për zhvillimet politike në vend, pasi që sot merr udhë një proces elektoral, rezultatet e të cilit do të na japin Kuvendin e ri.

Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për procesin integrues dhe zhvillimin e vendit. I bëj thirrje Kuvendit e organeve të tjera, që merren me administrimin e zgjedhjeve, të realizojnë detyrat e tyre kushtetuese e ligjore brenda afateve që u jep kuadri ligjor”.

Gramoz Ruçi

“Nuk bëhet fjalë për kërkesat e PS-së apo të PD-së, pasi, duam apo nuk duam ne, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e ka të shprehur qartë procedurën për ditën e zgjedhjeve. Presidenti është personi që bën dekretimin e kësaj dite. Partitë dhe gjithë faktorët dhe aktorët në vend duhet të pranojnë verdiktin e neneve të Kushtetutës”

Bamir Topi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi, tha se Presidenti i Republikës ka vepruar brenda kornizës Kushtetuese për datën e zgjedhjeve. „Presidenti i Republikës ka vepruar brenda kontureve kushtetuese dhe ka vendosur datën më të afërt të mundshme të zgjedhjeve. Ne kishim menduar për një datë, e cila do të ishte në favor të zgjedhësve“

Neritan Ceka

Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve më datën 3 korrik, tha se, “pavarësisht se nuk është plotësisht brenda afatit kushtetues, është një zgjidhje kompromisi për të afruar sa më tepër datën e zgjedhjeve në një sezon të pranueshëm, qoftë për partitë politike, qoftë edhe për elektoratin shqiptar”

Genc Pollo

Kryetari i PDR-së, Genc Pollo, tha se muaji më i përshtatshëm i zgjedhjeve duhej të ishte qershori, por Presidenti ka qenë i detyruar të respektojë Kushtetutën. „Për mua, muaji më i favorshëm për zgjedhjet është qershori, por kjo nuk u bë e mundur për shkaqe që dihen. Presidenti ka qenë i detyruar të respektojë Kushtetutën“, tha Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›