E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS ka gënjyer për integrimin, PD garanton integrimin në 2015

26/04/2005  Besnik Mustafaj, thotë se pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në Kuvend ishte garanci për fitoren

Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Demokratike, Besnik Mustafaj, në një intervistë për "Metropol“, thotë se pjesëmarrja e madhe partive perëndimore, dhe e trupit diplomatik në Kuvendin e 8 të saj, është më e madhja që nga viti 1997. Sipas tij, socialistët kanë humbur besimin e komunitetit ndërkombëtar dhe strategjitë që ata shpallin për inegrimin nuk mund ta përfundojnë këtë proces. Mustafaj thotë se PS-ja nuk mund të jetë më bindëse për këtë proces, përderisa akoma nuk ka paraqitur një platformë për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që, sipas tij, janë pikat bazë, në të cilat mbështetet procesi i integrimit të vendit.

Zoti Mustafaj, në Kuvendin e 8-të të PD-së ishin një numër i konsiderueshëm i partive anëtarë të PPE-së dhe përfaqësues të trupit diplomatik.Mund të na thoni nëse programi i paraqitur në këtë kuvend nga PD ia arriti qëllimit për përmirësimin e imazhit të saj?

Ky Kuvend ishte i rëndësishëm për aspektin e paraqitjes së programit të brendshëm, pra jo vetëm për t’iu drejtuar opinionit publik shqiptar, por ishte po aq i rëndësishëm për t’iu drejtuar opinionit ndërkombëtar.

Në ç'kuptim?

Duke qenë se Partia Demokratike është fituesja e këtyre zgjedhjeve, atëherë ajo do të zhvillojë politikën e hapjes dhe integrimit të vendit në BE. Ne jemi parti në opozitë dhe si e tillë, i kemi mundësitë dhe kontaktet direkte me dy segmente të komunitetit ndërkombëtar. Me trupin diplomatik të akredituar në Shqipëri, sepse jo të gjitha janë të vendosura në Tiranë, ka me seli në Romë apo Athinë, por që mbulojnë Shqipërinë dhe me partitë pjesëmarrëse anëtare të Partive Popullore Evropiane. Në këtë organizëm janë mbi 70 parti anëtare, mes të cilave dhe PD. Eshtë partia më e madhe në Evropë, është partia që ka kryetarin e Komisionit Evropian, Barroso, që dominon Parlamentin Evropian, ka shumicën në asamblenë e KE, sepse ka dhe numrin më të madh të deputetëve në Parlamentin Evropian. Në këtë kuptim, pjesëmarrja e këtyre partive në kuvend është e një rëndësie të veçantë, i cili shpreh qartë mbështetjen jo vetëm të partive të PPE-së, për programin qeverisës së PD-së, por është dhe sinjal se vetëm fitorja e opozitës do të bëjë të mundur përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në strukturat evropiane.

Në Kuvend morën pjesë vetëm një pjesë e këtyre partive. Partitë e tjera nuk janë ftuar apo kanë refuzuar ftesën tuaj?

Ne u menduam dhe diskutuam prë faktin nëse do t’i thërrisnim të gjitha partitë e PPE-së, apo vetëm disa prej tyre. Në fund vendosëm që të thërrasim vetëm ato parti të mëdha që janë në pushtet. Domethënë ftuam partinë “Forza Italia” të Berluskonit, “Neodemokracia” greke e Karamanlis, UMP-në e Shirakut dhe partinë e Kancelarit Shusel në Austri. Siç e patë vetë, patëm një përfaqësim në nivel shumë të lartë. Francezët dërguan këtu një deputet, që është dhe kryetari i grupit të miqësisë me Shqipërinë në parlamentin francez, dërguan dhe Sekretarin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, austriakët dërguan një deputet, Gros Roukm që njëkohësisht është dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Marrdhëniet me Evropën Juglindore, bashkë me të sollën dhe sekretarin e marrëdhënieve ndërkombëtare, dërguan dhe drejtorin e Akademisë politike. Italianët dërguan nënkryetarin e grupit parlamentar të “Forzza Italia”, ndërsa grekët dërguan Sekretarin për Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Të gjithë këta përfaqësues folën në emër të partive të tyrem por edhe në emër të kryeministrave apo Presidentëve që kanë pushtetin në vendet nga kanë ardhur. Për nem është e rëndësishme që të zhvillonim këtë aspekt të mbështetjes ndërkombëtare në opinionin publik shqiptarm për të treguar që mbështetja jonë për integrimin në Evropë, është te këto parti që janë në pushtet në radhë të parë. Së dyti, ne patëm prezencën e të gjitha ambasadave pa përjashtim, me ambasadorë dhe me numrat dy të ambasadave. Duhet ta keni të qartë se një vëmendje e tillë nga trupi diplomatik tregohet vetëm ndaj një partie që do të marrë nesër pushtetin. Bie fjala në zgjedhjet e para 8 vjetëve, në vitin 1997, ne nuk e kemi pasur një vëmendje të tillë si parti, sepse dihej që do të fitonin socialistët. Pra, misioni diplomatik i kongresit qe maksimal. Dhe mesazhet që erdhën nga partitë pjesëmarrëse ishin shumë të qarta. Ne morëm dhe nga Gjermania një përshëndetje me shkrim nga CSSU-ja, që qeveris në landin e Bavarisë dhe është parti e Shtrausit. Simbolikisht, Shtrausi në historinë e shqiptarëve kujtohet si ndër të parët që bëri përpjekje për ta hapur Shqipërinë në kohën e diktaturës.

Do ishte me interes të dinim si shihet prej tyre integrimi i Shqipërisë në BE, pasi ju përmendët që partitë e tyre kanë dhe shumicën në Parlamentin Evropian?

Në mënyrë të koncetruar e tha sekretari i PPE-së, Isturias. Shqipëria ka imazhin e një vendi ku korrupsioni dhe krimi i organizuar bëjnë ligjin. Me këto nuk hyhet në Evropë, prandaj dhe nga salla bëri thirrje, “Socialistë ikni shpejt”. Pra, klima i përgjigjet një realiteti për fatin e keq të Shqipërisë. Që të ndryshojë ky imazh dhe ky realitet vendit mund t’ia ndryshojë vetëm PD-ja. Duke ndryshuar imazhi përshpejtohet dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Evropë, thjeshtohet dhe përshpejtohet në mënyrë të dukshme. Thuajse se të gjithë përfaqësuesit e së djathtës evropiane në pushtet, kishin informacion të qartë për çfarë ndodh këtu. Arsyet parimore, përveç miqësisë me partinë tonë, ishin dhe një thirrje për të gjithë shqiptarët, që duhet t’i jepni fund këtij realiteti, ku krimi i organizuar bënë ligjin. Me qëllim që Shqipëria të bëhet një vend normal, dhe shqiptarët të mund të shëtisin lirisht, dhe të mos shihen të gjithë si të familjes mafioze dhe të të korruptuarve, por të shihen si pjesëtar të familjes evropiane, ku shteti ligjor vendos për padrejtësitë.

Një strategji për integrimin e prezantoi dje dhe ministrja e Integrimit, Ermelinda Meksi, sipas të cilës Shqipëria do të bëjë aplikimin e parë për hyrje në BE në vitin 2007, ndërsa në vitin 2015 do të jetë anëtare e saj. Do donim të dinim opinionin tuaj mbi këtë platformë?

Ky është një kalendar i pëlqyeshëm. Pra, 2007 dhe 2015 si hapa për integrimin janë kalendarë të pëlqyeshëm. Por, ndryshimi është se PS-ja nuk e realizon këtë proces. Ne mund ta afrojmë anëtarësimin për në BE për vitin 2015, dhe për këtë jam i sigurtë, këtë do ta bëjë PD-ja. Socialistët kanë që në vitin 1997 që bëjnë premtime dhe caktojnë data që nuk kanë mundur kurrë t’i mbajnë. Nuk mund t’i mbajnë për arsyen e thjeshtë se ata zhvillojnë demogagji dhe jo veprim demokratik. Pra, socialistët akoma nuk janë parë të paraqesin platformën kundër korrupsionit. Nuk ka integrim në Evropë pa luftuar këtë fenomen. Ne, socialistët nuk i kemi parë për të prezantuar strategjinë për të realizuar zgjedhje të lira dhe të drejta, çka është vërejtja kryesore, pasi nuk kanë zhvilluar zgjedhje të lira, që kur kanë ardhur në pushtet në vitin 1997. Hera e fundit që në raportet ndërkombëtare përmenden zgjedhje të lira dhe të drejta, është tetori i vitit 1996 për zgjedhjet e Pushtetit Lokal në Shqipëri. Kjo është hera e fundit që komuniteti ndërkombëtar përmend që në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pra, pa zhvilluar zgjedhje, nuk ka as 2007 evropiane, as 2015 evropiane për Shqipërinë. Socialistët nuk kanë paraqitur akoma platformën kundër krimit të organizuar, i cili transporton drogën dhe të gjithë horllëkun drejt Evropës. Komuniteti perëndimor nuk mund të pranojë kurrë një vend në gjirin e tij që është eksportues i krimit. Kalendarët e socialistëve janë kalendarë pa themel dhe pa mbështetje. Në këtë kuptim, PD-ja nuk merret me ëndrra, por me realitetin. Dhe ne nuk duam që t’iu krijojmë iluzione njerëzve, por t’i vemë në punë dhe së bashku të punojmë për integrimin. PS-ja nuk mund të paraqesë platformë kundër krimit të organizuar, kur vetë lidershipi i saj është i implikuar drejtpërdrejt në këto trafiqe. Nuk mund të paraqesë as platformë kundër korrupsionit, kur lidershipi i saj është përfituesi kryesor nga ky fenomen.

Dhe një pyetje të fundit. Jeni një ndër kandidatët e Tiranës, si e shihni betejën elektorale në kryeqytet?

Fushata ende s'ka filluar sipas ligjit, jemi në fazën paraelektorale, megjithëse disa parti po e shkelin ligjin. Unë mund të them se, nëse nisemi nga rezultati real i 2001, ku Tirana kishte 11 zona elektorale, ne kemi fituar 7 zona. Ka fituar Arjan Starova, përballë Et’hem Rukës, dhe Gjykata Kushtetuese ja prishi vendimin. Ka fituar dhe kandidati ynë përballë Anastas Angjelit dhe sërish ishte Gjykata Kushtetuese, ajo që i dha mandatin socialistit. Unë jam i bindur se, në Tiranë, Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi do të korrë një fitore të jashtëzakonshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›