E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parlamenti shtyn votimin për raportin e Laskajt mbi pasuritë

26/04/2005  Kuvendi nuk ka arritur të votojë dje raportin e Inspektoriatit të pasurive, për shkak të mungesës së deputetëve në seancë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive gjatë vitit 2004 ka vërejtur shkelje në 26 subjekte të kontrolluara, nga 587 të tilla. Sipas kryeinspektores Fatmira Laskaj, duke iu referuar procedurave të deklarimit dhe kontrollit të pasurisë dhe detyrimet financiare të zyrtarëve të zgjedhur dhe nëpunësve publikë të nivelit të lartë dhe të mesëm, ka rezultuar se “deri më datë 7.4.2005, ka filluar procesi i kontrolli aritmetik e logjik për 3601 subjekte dhe kontrolli i plotë për 1879 subjekte. Nga këto të fundit, ka përfunduar kontrolli për 587 subjekte, nga të cilët kanë rezultuar me probleme 26 subjekte dhe pjesa tjetër prej 561 subjektesh kanë rezultuar pa probleme. Janë dërguar për ndjekje penale 2 subjekte në kompetencen e inspektorit të Përgjithshëm”. Laskaj, gjatë raportit të instititucionit që përfaqëson në seancën plenare të djeshme, ka kritikuar faktin që asnjë prej titullarëve të ministrive, apo edhe institucione të tjera, nuk kanë parapyetur për procesin e deklarimit të pasurisë së subjekteve që do të prezantohen për t’u zgjedhur në detyrë të rëndësishme. Gjithashtu, Laskaj e ka cilësuar si një veprim të nxituar që “partitë politike nuk kanë hedhur asnjë hap për të marrë informacion, lidhur me procesin e deklarimit të pasurive, për subjektet që kandidojnë, apo që do të rikandidojnë për deputet, duke qenë ata subjekt që kanë realizuar deklarimin e pasurisë”. Ndërkohë që sipas kryeinspektores, “në shumicën e rasteve është vënë re parregullsi në plotësimin e rubrikave të deklaratës e për pasojë nga kontrolli aritmetik e logjik për mjaft subjekte rezultonin diferenca për balancim të vlerës së pasurive dhe burimeve të krijimit të tyre”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›