E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ diskuton uljen e shpërblimit për komisionerët

29/05/2005  Shteti do të përballojë shpenzimet për telefonat, faksin, energjinë dhe transportin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos ndryshojë procedurën e shpërndarjes së fondeve për shpenzimet në administrimin e zgjedhjeve. Tashmë është vendosur që shpërblimin për pjesë marrjen në komisionet e votimit do t'i marrin ata anëtarë që do të jenë deri në ditën e votimit. Tarifat e telefonisë, energjisë elektrike, shpërblimet e komisionerëve, transporti etj., do të përballohen nga fondi që ka dhënë qeveria për KQZ-në. Ndërsa, si shkak i shkurtimit të fondit me 200 milionë lekë, pritet që të ulen dhe shpërblimet për komisionerët. Dje, nxjerrja e një akti qartësuas dhe plotësues nga ky komision, në mënyrën se si do të bëhet shpërndarja e fondeve, është cilësuar si i panevojshëm nga anëtarët e KQZ-së. Sipas tyre, ekzistojnë mekanizmat ligjore që garantojnë një shpërndaje të sigurtë të këtyre fondeve. Disiplinimi financiar i të gjitha shpenzimeve për zgjedhjet, për të reduktuar në një masë sa më të madhe kërkesat për shpenzime të panevojshme të lëvizjeve të anëtarëve të KZZ-ve, GNV-ve dhe KQV-ve, do të jetë objekt i mbledhjes së ditës së hënë, ku do të vendoset dhe mbi shpërblimin e komisionerëve. Sipas anëtarëve të këtij komisioni, Klemend Zguri dhe Dodë Prenga, kjo nuk cënon procedurat aktuale të shpërndarjes së fondeve, por do të ishte në funksion të përmirësimit të tyre. Kështu, të gjitha fondet e miratuara nga qeveria për zhvillimin e porcesit zgjedhor do të shpërndahen nga KQZ-ja, e cila do të bëjë këtë transfertë në bashki dhe komuna.

Shpenzimet

Fondet për zgjedhjet është i ndarë në dy lloje për pagat e anëtarëve të Komisioneve Zgjedhore Zonale, Grupit të Numërimit të Votave dhe Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe për shpenzimet e tjera. Në këto shpenzime përfshihen, ato për telefonat, për fotokopjet, për transportin e bazës materiale, për transportin e bazës materiale pas zgjedhjeve nga KZZ-KQZ. Gjithashtu, në këto shpenzime përfshihen dhe dijetat për ditët e trajnimit të anëtarëve të KZZ-ve, GNV-ve dhe KQV-ve, për ambientet private me qira për qendrat e votimit, ambiente grupeve të numërimit si dhe shpenzime të tjera të paparashikuara.

Pagesa

43400 anëtarë, që do të meren me administrimin e procesit zgjedhor në të gjithë vendin, ditën e hënë, me një vendim të KQZ-së, pritet që t'u bëhet një ulje e pagës, që ata do të marrin për punën e tyre gjatë procesit zgjedhor. Shkak për këtë vendim është ulja e fondit që qeveria shqiptare i ka akorduar KQZ-së, më një shifër rreth 200 milionë lekë më pak sa ajo që ky komision ka kërkuar. Duke iu referuar pagave që ishin parashikuar nga KQZ-ja për komisionerët e KZZ-ve, për anëtarët e grupeve të numërimit të votave si dhe për komisionerët e qendrave të votimit, KQZ-ja do të llogarisë dhe përqindjen që do të ulë për çdo lloj page. Ndërkohë që për të gjithë ata komisionerë, apo anëtarë të grupeve të numërimit shkarkohen, apo lënë detyrën dhe zëvendësohen me emra të tjerë, pagesa përfitohet nga personi i fundit i emëruar. Kjo qoftë edhe në rast se personi i zëvendësuar ka qëndruar në këtë detyrë deri ditën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›