E Diel, 1 Nëntor 2026

"KQZ duhet të miratojë aktet nënligjore për vënien në zbatim"

Deputeti i PD-së, Eris Hoxha, gjatë një interviste për "Shqip", në lidhje me Kodin Zgjedhor, që u miratua me 112 vota nga PD-ja dhe PS-ja, para pak ditësh, thekson se tashmë duhet të nisë zbatimi i tij edhe në praktikë. Sipas deputetit Hoxha, tashmë për politikën shqiptare është e rëndësishme që të përgatisë infrastrukturën zgjedhore, me qëllim që zgjedhjet e 2009 të realizohen sipas të gjitha standardeve të kërkuara nga ndërkombëtarët. Deputeti i PD-së thekson se për t‘u vënë në zbatim kodi, ka nevojë të shoqërohet me vendime nga KQZ-ja, i cili është edhe organi përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve.

Kodi u miratua me konsensusin e dy partive kryesore, tashmë faktori ndërkombëtar ka kërkuar nisjen e zbatimit të tij. Cilat janë sfidat më urgjente?

Sfida më urgjente që del pas miratimit të kodit është përgatitja e infrastrukturës zgjedhore në të gjitha aspektet e saj. Çdo element i saj është shumë i rëndësishëm për realizimin e zgjedhjeve në standardet më të larta demokratike. Miratimi i kodit pothuajse 8 muaj përpara ditës së zgjedhjeve, përveçse është një risi pozitive për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, është dhe një fillim i mbarë i punës. Ajo që ka rëndësi është që të gjitha përpjekjet do të bëhen për të garantuar zgjedhje të lira demokratike dhe të pakontestueshme.

Ngritja e KQZ-së, a do të kthehet në një kazus për një përplasje të re mes mazhorancës dhe opozitës?

Nuk e besoj që KQZ-ja të jetë çështje përplasjeje midis PD-së dhe PS-së. Formula e Kodit është e qartë dhe e thjeshtë. Nuk mund të flas për qëndrimin që do mbajnë partitë e tjera, po për PD-në qëndrimi ka qenë gjithmonë për të arritur konsensusin më të madh të mundshëm për çdo aspekt të zgjedhjeve.

Përgatitja e zgjedhjeve është një fazë ku pritet të mbizotërojnë standardet. Sipas mendimit tuaj për këtë pjesë, ka përgjegjësi vetëm mazhoranca apo e gjithë klasa politike?

Mazhoranca ka përgjegjësitë e saj në një proces zgjedhor, ashtu si e gjitha klasa politike ka përgjegjësitë e saj në një proces të tillë. Por doja të shtoja që përgjegjësi në një proces zgjedhor ka edhe media e shkruar apo elektronike, megjithëse roli i saj mbetet marzhinal.

Për t‘u venë në zbatim kodi, cilat akte nënligjore duhet të ndërmerren?

Zbatimi i kodit në përgjithësi ka nevojë të shoqërohet nga vendime të KQZ, që është organi përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve.

Kodi Zgjedhor që të hyjë në fuqi duhet të kalojë fazën e dekretimit nga kreu i shtetit. Sipas jush, do të marrë firmën e Presidentit?

Nuk shoh asnjë arsye kushtetuese, apo të çdo lloji, që Kodi Elektoral të mos dekretohet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›