KQZ frenon gëzimin e Bashës dhe Ramës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri u mblodh sërish dje paradite, për të diskutuar mbi procesin zgjedhor në Tiranë dhe për kërkesat ankimore të depozituara nga individë dhe subjektet politike në këtë institucion.
Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjoncaj deklaroi se në KZAZ-në numër 49, shumica nuk pranon të bëjë detyrën sipas ligjit edhe pse prej dy ditësh ka nxjerrë rezultatet përfundimtare.
"Kreu i KQZ-së duhet të ndërhyjë për të zgjidhur situatën. Mendoj se kjo qetësi është e qëllimshme për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve lokale. Kërkoj shkarkimin e 4 komisionarëve të papërgjegjshëm në KZAZ-së numër 49", tha Gjoncaj.
Kandidati i PD-së, Lulzim Basha dhe ai i PS-së, Edi Rama, ndonëse janë shprehur se kanë fituar secili për hesap të vet, ende janë të detyruar të presin vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
I pari është shprehur më shumë një herë se do të presë një vendim të KQZ dhe se do të pranojë çdo rezultat që do të shpallet prej tij.
I dyti ka deklaruar pak orë pasi u numërua kutia e 485-të se ishte ai fitues i zgjedhjeve, siç tha me 10 vota dallim.
Siç dihet, edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, bëri thirrje për qetësi dhe apeloi që të pritet vendimi përfundimtar i KQZ-së.