E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ gjobit 77 krerë të njësive vendore për mosdorëzimin e listave të zgjedhësve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur sanksionin me gjobë 50 mijë lekë për kryetarët e 77 njësive vendore. Janë pikërisht këta krerë të njësive vendore, të cilët edhe me paralajmërimet nga KQZ ende nuk kanë dorëzuar listën paraprake të zgjedhësve. Ky ka qenë motivi, me të cilin KQZ ka justifikuar gjobën ndaj tyre me motivacionin se këta kryetarë njësish ende nuk kanë sjellë pranë këtij institucioni listat paraprake të zgjedhësve dhe numrin e qendrave të votimit të njësive përkatëse për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, duke komunikuar këtë vendim të KQZ-së, u shpreh se në rast se kryetarët e njësive vendore do të vazhdojnë të mos plotësojnë këtë detyrim ligjor, do të shkojnë edhe për ndjekje penale. Ndërkohë që paralajmërimi nga kreu i KQZ është bërë para disa javësh duke kërcënuar edhe me ndjekje penale për 135 kryetarët e komunave dhe bashkive, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Gjatë mbledhjes një javë më parë, kreu i KQZ-së, Ristani i ka bërë apel krerëve të njësive të qeverisjes vendore, që të dërgojnë sa më parë listat paraprake të votuesve. Në rast të kundërt, ai përmendi marrjen e masave administrative deri në kallëzim penal për krerët lokalë. Të dhënat, që do të përmbanin numrin e zgjedhësve për qendrat e votimit, numrin e qendrave të votimit dhe numërtimin e tyre. Nga 383 njësi të qeverisjes vendore, 135 nuk i kanë prurë akoma këto të dhëna, duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ-së. Në zbatim të ligjit do të thërrasë një mbledhje tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të marr masa administrative dhe për të parë mundësinë e një kallëzimi penal, sepse mund të ketë dhe elemente të shpërdorimit të detyrës, deklaroi kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Precedentë të shkeljes së afateve të kodit zgjedhor, janë denoncuar disa herë nga KQZ.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›