E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja akrediton mbi 100 vëzhgues dhe 11 përkthyes

27/06/2009  Miratohet 12 kërkesa, mes tyre të ndërkombëtarëve dhe televizioneve të huaja

Këshilli i Evropës mori leje për 25 vrojtues afatshkurtër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar gjatë mbledhjes së pasdites 12 kërkesa për akreditim vëzhguesish afatgjatë dhe afatshkurtër. Anëtarët e komisionit kryesor që merret me administrimin e procesit zgjedhor në vendin tonë, kanë vlerësuar brenda afatit edhe dorëzimin e kërkesave, të cilat ishin firmosur brenda afatit ligjor, por të protokolluara jashtë këtij afati. “Unë mendoj se janë brenda afatit përderisa kërkesa e ambasadës austriake për akreditimin e vëzhguesit nga ana jonë është firmosur më 24 qershor. Pavarësisht kur e protokollon KQZ-ja, firmosja është bërë në afat, kështu që propozoj ta miratojmë këtë kërkesë”, - tha kryetari Ristani. Në total në listën e gjatë të kërkesave, ku bënin pjesë kërkesa të Këshillit të Evropës, OSBE-së, të ambasadave deri edhe televizione të ndryshme ndërkombëtare, në total KQZ-ja dha miratimin e saj për rreth 110 vëzhgues dhe 11 përkthyes. Në mënyrë të detajuar ambasada suedeze kërkoi akreditimin pranë Komisioni Qendror të Zgjedhjeve për një vëzhgues afatshkurtër, ambasada austriake gjithashtu, ndërsa ambasada britanike kërkoi akreditimin e dy vëzhguesve afatshkurtër, mes të cilëve një ishte vetë ambasadorja. Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri për Evropën këtë herë kërkoi akreditimin e 50 vëzhguesve afatgjatë dhe të 11 përkthyesve. Në listën e televizioneve BBC-ja gjithashtu kërkoi akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e nesërme parlamentare, televizioni austriak “ORF” kërkoi leje për dy vëzhgues afatshkurtër, televizioni kombëtar bullgar për dy vëzhgues dhe një televizion grek për një vëzhgues afatshkurtër. Edhe Këshilli i Evropës kërkoi akreditimin e 25 vëzhguesve afatshkurtër dhe 24 të tjerë u kërkuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe misioni i OSBE-së në Kosovë dhe për fondacionin “Friedrih Ebert” KQZ-ja akreditoi tre vëzhgues afatshkurtër.

Mandatet

KQZ-ja i ka dhënë dje zgjidhje edhe dilemës së administratës lidhur me llogaritjen e mandateve për deputetë pas përkthimit të numrit të votave që do të fitojnë koalicionet dhe partitë politike në këto zgjedhje. Kur herësi është më i madh ose i barabartë me 5, atëherë numri i shtohet një dhe shuma që del nga rezultati ndihmon në rrumbullakosjen e herësit. Në këtë mënyrë, nëse herësi do të jetë 5.5, ai do të rrumbullakoset në 6.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›