“KQZ-ja, e vendosur të numërojë në mënyrë transparente çdo votë”

Hidhen poshtë si pretendime të gënjeshtërta, reagimet e disa mediave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ripërsëritur dje gatishmërinë për të vlerësuar dhe numëruar çdo votë të pa numëruar të shqiptarëve, ndërsa i ka cilësuar pretendime të gënjeshtërta dhe dezinformuese reagimet e një pjesë të mediave të shkruara të ditës së djeshme, sipas të cilave KQZ është treguar selektiv në trajtimin e votave të pavlerësuara e të pa numëruara, të cilat, në zgjedhjet për bashkinë dhe njësitë bashkiake të Tiranës, janë hedhur aksidentalisht në kutinë e gabuar.
Lidhur me këtë pretendim të gënjeshtërt KQZ, sqaroi dje se, ky institucion, “shqyrtimin administrativ të kërkesave dhe ankesave e bazon mbi dokumentacionin zgjedhor të administruar rregullisht, i cili, në gjuhën e ligjit, formon fillim prove për çdo shqyrtim administrativ. Mbarë opinioni publik e vuri re qartësisht se gjatë tërë këtyre ditëve KQZ e fillonte shqyrtimin e kutive nga kërkesat e KZAZ-ve dhe nga leximi dhe verifikimi i procesverbaleve dhe protokolleve të tyre. Kudo ku kishte gjurmë në dokumentacionin zyrtar të KZAZ-ve, për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar, hapej kutia dhe vlerësoheshin e numëroheshin këto vota. Ky proces nuk ishte aspak selektiv, por gjithëpërfshirës”, thuhej në reagimin zyrtar të KQZ-së.
“Që KQZ ishte e vendosur të numëronte çdo votë e konfirmon fakti i bërë publik gjatë transmetimit ‘live’ të mbledhjeve, kur kryetari i Komisionit i kërkonte në mënyrë të përsëritur subjekteve pjesëmarrëse në proces e të paraqisnin çdo sinjal, informacion apo dokumentacion që lejonte identifikimin e këtyre votave dhe të kutive ku ishin hedhur ato”, vijonte më tej reagimi i KQZ-së.
“Që procesi ishte gjithëpërfshirës e konfirmon fakti se janë të paktën 11 kuti (QV-të 1818, 1821, 1822, 1823, 1845, 1828/1, 1829/1, 1845/2, 1850, 1850/1), të cilat janë marrë në shqyrtim dhe janë verifikuar gjatë transmetimit ‘live’ nga salla e mbledhjeve të KQZ-së, pavarësisht se KZAZ-të respektive nuk i kishin identifikuar, por ku procesverbalet e tyre kishin shënime për vota të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar. Përtej pretendimeve të gënjeshtërta dhe dezinformuese të hedhura në shtyp, KQZ rithekson dhe njëherë se vullneti i saj, për të vlerësuar dhe numëruar çdo votë të pa numëruar të shqiptarëve është një parim i palëkundur ligjor, të cilit Komisioni i përmbahet me fanatizëm”, përfundonte sqarimi i KQZ-së.