E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vota e 8 majit do të shndërrohet në energji të re, të madhe e të pandalshme zhvillimi”

25-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron urën e re mbi lumin Buna, në Shkodër
 
Kryeministri Sali Berisha deklaroi të martën se vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të madhe dhe të pandalshme zhvillimi.
Këtë deklarim, kryeministri Berisha e bëri dje, ndërsa ishte i pranishëm në inaugurimin e urës së re mbi lumin Buna, në Shkodër.
“Ne inaugurojmë këtë vepër të madhe, me një investim mbi 7 milion dollarë, me një sistem modern të hapjes që bën të mundur që Buna, në vitet që vijnë, të jetë një lumë i lundrueshëm, t’u ofrojë turistëve në këtë rajon, në Mal të Zi e në Shqipëri një prej hyrjeve turistike më të bukura në lumin e Bunës, liqenin e Shkodrës dhe në det. Me këtë urë ia dalim të dyfishojmë trafikun, komunikimin me Malin e Zi dhe të gjithë rajonin verior”, u shpreh Berisha.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kreu i Qeverisë, duke iu referuar zgjedhjeve të 8 majit, premtoi se mbështetja plebishitare e qytetarëve do të shndërrohet në qindra dhe mijëra projekte, me të cilat do të ndërtohen kopshte, shkolla, rrugë, ujësjellës e kanalizime.
“Ne inaugurojmë urën pas përfundimit të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve, në të cilat me votën tuaj, me votën e Shkodrës u bashkuan më shumë se kurrë, që nga viti ’92 gjer më sot, mbarë shqiptarët, nga Vermoshi në Konispol, nga Gjirokastra në Kukës, nga Saranda në Tropojë. Qytetarët shqiptarë votuan për ëndrrën e bukur të fëmijëve të tyre, për ëndrrën e bukur të tyre, Shqipëria - vend i zhvilluar në vitin 2017. Jam sot, këtu, për të garantuar qytetarët e Shkodrës se kjo votë do të shndërrohet në Shkodrën - qytet modern, Shkodrën - epiqendër të madhe të zhvillimit të rajonit dhe të gjithë veriut, në Shkodrën - epiqendër të rëndësishme të zhvillimit të kombit dhe Shqipërisë. Në një hark kohor shumë të shkurtër, ne do të fillojmë Bypass-in e Shkodrës, do përfundojmë rrugën Shkodër-Hani i Hotit, do të ecim me shpejtësi drejt Vermoshit, drejt Prekarit dhe në katër anët e këtij rrethi, ne do të ndërtojmë infrastrukturën më moderne, infrastrukturën e një vendi të zhvilluar, infrastrukturën që bën të mundur për qytetarët e Shkodrës, shfrytëzimin e pasurive të mëdha natyrore të gjithanshme që ka ky rreth”.
Duke u ndalur tek projektet në infrastrukturë ai theksoi se në një periudhë të shkurtër 18-mujore do të përfundojë autostrada Tiranë-Elbasan, do të nisë puna për autostradën Lezhë-Shkodër me katër korsi, si dhe do të fillojnë punimet e tunelit për rrugën e Arbrit, në mënyrë që Shqipëria brenda katër viteve që vijnë të ketë një rrjet rrugor që do të bëjë krenar çdo shqiptar.
“Vota e 8 majit do të shndërrohet për mbarë shqiptarët në një energji të re, të madhe, të pandalshme të zhvillimit. Në këtë periudhë të shkurtër 18 mujore, ne përfundojmë autostradën Tiranë-Elbasan, në këtë periudhë do të nisim autostradën Lezhë-Shkodër me katër korsi, nisin punimet e tunelit e rrugës së Arbrit, Boshtit të Jugut. Shqipëria brenda katër viteve që vijnë do të ketë një rrjet rrugor që do të bëjë krenar çdo shqiptar. Mbështetja juaj plebishitare do të shndërrohet ashtu siç kemi premtuar në qindra dhe mijëra projekte, me të cilat ne do të ndërtojmë kudo kopshte moderne për fëmijët tanë, shkolla moderne për nxënësit tanë, spitale moderne për të sëmurët tanë, rrugët më të mira për mbarë shqiptarët, ujësjellës e kanalizime. Në të katër anët e këtij vendi, do të ndërtojmë standardet e një vendi të zhvilluar. Ne do të bëjmë gjithçka që pasuritë përrallore që i ka dhuruar Zoti këtij vendi të shndërrohen në të mira për çdo qytetar të Shqipërisë. Sot, më shumë se kurrë, ne besojmë tek ju, sepse ju udhëhoqët fushatën më të suksesshme që vendi ka njohur nga viti ’92 gjer më sot. Por, në rast se vota e vitit ’92 ishte votë përmbysjeje, vota e 2011 është votë ndërtimi, votë zhvillimi, votë e së ardhmes”, u shpreh më tej kryeministri Berisha.
Urën e re të lumi Buna, kryeministri Berisha e konsideroi një vepër të madhe, me një sistem modern të hapjes, që në vitet që vijnë do ta bëjë këtë lumë të lundrueshëm dhe që t’u ofrojë turistëve në këtë rajon një prej hyrjeve turistike më të bukura.
Ura e re, me gjatësi 275.5 metra dhe gjerësi 13.5 metra, është një investim mbi 7 milionë dollarë, i standardeve më moderne. Ura ka një mbistrukturë metalike të lëvizshme me gjatësi 75 metra dhe përbëhet nga konstruksioni mekanik dhe ai elektromekanik. Hapja dhe mbyllja e urës, që lejon kalimin e mjeteve lundruese, përbëhet nga dy sisteme elektromekanike me kohëzgjatje deri në 8 minuta dhe një manual me kohëzgjatje 15 minuta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›