E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Ne, partia fituese e 28 qershorit



Një aleancë e përsosur që solli ndryshimet e mëdha në Shqipërinë që për 8 vite me radhë e kishte mbërthyer varfëria, pasiguria, papunësia, krimi dhe korrupsioni i qeveritarëve kleptokratë. Do të jetë ky koalicion i djathtë që përmes fitores së 28 qershorit do të ndryshojë vendin së paku katër herë më shumë nga sa ndryshoi këto katër vitet që lëmë pas. Ky ishte mesazhi i djeshëm i Kryeministrit Sali Berisha për republikanët shqiptarë në hapjen e fushatës elektorale. Duke i përgëzuar për mbështetjen që i dhanë PD-së gjatë këtij mandati qeverisës, lideri Berisha shprehu sigurinë e plotë se e djathta po shkon drejt fitores së mandatit të dytë qeverisës. Ai premtoi: “E tërë përpjekja jonë e madhe dhe të gjitha reformat që ne ndërmarrim, kanë vetëm një synim: se si të ndryshojmë për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë”. “Ne kemi një aleancë të përsosur me ju republikanët, sepse aleanca jonë bazohet mbi vlerat e vërteta që besojmë; bazohet mbi parimet që zbatojmë; bazohet në themelin që ne kërkojnë të vëmë për sistemin tonë; vlerën e familjes, vlerën e punës, vlerën e pronës”, - deklaroi z. Berisha. “Ne, - shtoi ai, - shkojmë drejt një fitoreje të sigurt në zgjedhjet e ardhshme dhe nuk e kërkojmë votën tuaj për ato që kemi bërë, por qytetarët shqiptarë kanë nevoja, nga ky horizont ata shohin një tjetër horizont dhe kërkojnë nga ne që ne ta kapim atë horizont dhe ta shndërrojmë në realitetin më të mirë për ta”. Duke folur për kompromisin në emër të së madhes, nisur nga fakti që PR-ja ka shtyllë kryesore të saj pronën e saj, Berisha vuri në dukje se sot bilanci është: mbi 700 mijë familje të pronësuara nga ky koalicion që nga viti ’92 e deri më sot. Duke mos mohuar që janë mijëra e mijëra dosje ende të pazgjidhura, ai siguroi: “Do të rendim pas gjithë secilës prej tyre, sepse në kemi moralin, kemi përkushtimin dhe kemi zotimin të shkojnë në zgjidhjen e secilës prej tyre”. “U ndeshëm me një mal falsifikimesh, të cilat mbartin në vetvete grabitje dhe plaçkitje të mëdha. Po i çmontojmë një nga një, por këtu duhet gjakftohtësi dhe durim. Në qoftë se angazhohemi t’i çojmë këto dosje deri në fund, nuk duhet të harroni se gjejmë pengesa që shtrihen dhe te vetë familja, por kjo nuk do të thotë që shteti të heshtë dhe që qeveria jonë nuk do të merret më këto probleme”, - deklaroi ai. Berisha garantoi se qeveria e tij do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë. Kryeministri përmendi arritjet kryesore të qeverisë që sollën ndryshimin e madh në vend, por duke siguruar se qeveria e re do të jetë shumë më e vogël dhe në dietë sesa qeveria aktuale. Duke përsëritur deklaratën në kuvendin e PD-së vetëm pak ditë më parë, Berisha bëri të qartë: “Zyrtarët do të jenë në dietën më të rreptë se kurrë në historinë e këtij vendi. Ju mos mendoni se vlera 20, 30 apo 100 milionë euro në vit s’është kaq e rëndësishme, sepse vlera morale e këtij veprimi bën që ky vend të ketë miliarda më shumë. Ndaj edhe ne, në Parlamentin e parë do të votojmë ligjet për dietën e qeverisë dhe për dietën e zyrtarëve”. Berisha foli dhe për rrugën Durrës-Kukës, ndërsa mbështeti Sabri Godon kur u shpreh: “Ne ia dolëm të çajmë tunelin, të hapim rrugën dhe rruga është projekti më i madh i shqiptarëve”. Sipas Berishës, rruga është me shumë dimensione. Kryeministri akuzoi se “ata që e penguan ndërtimin e rrugës tetë vite më parë, e penguan me një armiqësi të hapur me interesat e shqiptarëve, ndërsa ne u themeluam dhe u konsoliduam si parti e interesit kombëtar. Për ne vizibiliteti kombëtar është përparësi e të gjitha vizibiliteteve. Ne do t’ua japim Shqipërinë në pëllëmbë të dorës qytetarëve shqiptarë. Ne nuk do të lëmë tunel pa hapur dhe nuk do të lëmë grykë pa çelur, në mënyrë që shqiptarët, në një shpejtësi maksimale të vijnë në kryeqytetin e tyre nga Tepelena, Korça, Dibra dhe mbarë Shqipëria. Ne nuk kemi fjalë, por kemi vepra të faktuara”, - u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›