E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR, Mediu: E djathta fut Shqipërinë në BE



Republikanët besojnë se vetëm e djathta do të mund të antarësojë Shqipërinë në BE. Por ata përmendin se një ccështje kycc për integrimin është dhe zgjidhja e ccështjes së pronësisë. Në ceremoninë festive të hapjes së fushatës elektorale, republikanët i kërkuan dje Kryeministrit Sali Berisha zgjidhjen e çështjes së pronave gjatë mandatit të ri qeverisës. Gjatë prezantimit të 140 kandidatëve për deputetë, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i bëri thirrje z. Berisha, i pranishëm në sallë: “Kërkojmë zgjidhjen urgjente të çështjes së pronës dhe kthimin e pronës te pronari i ligjshëm, te ata që e kanë trashëguar në mënyrë të ligjshme”. E menjëhershme ishte përgjigjja e Kryeministrit Berisha, i cili gjatë fjalës përshëndetëse premtoi zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së pronësisë në Shqipëri. “Do të bëjmë përpjekjen maksimale që të çojmë deri në fund çështjen e pronësisë. Shqipëria do të ndryshojë katër herë më shumë se këto katër vite qeverisje. Ne nuk kemi fjalë, po kemi vepra”, - u shpreh Berisha. Kryeministri, gjatë fjalës së tij vuri theksin tek kontributi i z. Mediu si partneri i tij i ngushtë politik dhe kontributin në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kurse kryerepublikani Fatmir Mediu u shpreh gjatë hapjes së fushatës elektorale të kësaj partie për zgjedhjet parlamentare të 2009-s se ''një mandat i dytë qeverisës i kësaj mazhorance të djathtë do të bëjë të realizohet ëndrra e madhe e shqiptarëve, anëtarësimi me të drejta të plota në BE". ''Ne u zotuam në 2005-n, së bashku me Kryeministrin Berisha, që do të ndryshonim Shqipërinë dhe këtë e bëmë me anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO. Nesër sërish së bashku do të luftojmë me mish e me shpirt për t'u anëtarësuar në BE'', - tha kryetari i PR-së. Sipas Mediut: ''Zhvillimet e reja shtrojnë pa dyshim edhe përgjegjësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne, si mbrojtja e familjes, në mënyrë të veçantë të ekonomisë familjare, të cilat kërkojnë angazhime të mëdha, ndaj ne kërkojmë sërish votën e shqiptarëve që ëndrra të vazhdojë". Kryetari i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo, gjatë fjalës së tij tha se ''PR-ja do të luftojë në këtë fushatë për të afirmuar shtyllat e veta të programit republikan, demokracinë, kombin, familjen dhe pronën private''.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›