PS-ja kundër ngritjes së Komisionit të Verifikimit të Figurave para vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, kërkoi të mos futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit ngritja e Komisionit të Verifikimit të Figurave deri në shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të ligjit të lustracionit. Sipas Braçes, në rast se PD-ja miraton ngritjen e këtij komisioni, i bën shantazh vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk merr në konsideratë sugjerimet e faktorit ndërkombëtar. “Politika duhet të jetë e përgjegjshme, pasi i gjithë faktori ndërkombëtar ka shqetësim për ligjin për lustracionin e drejtësisë. Futja në rendin e ditës është shantazh i drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj se duhet t’i lëmë kohën e duhur Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje”, - është shprehur Braçe. Po kështu, ai kundërshtoi përfshirjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit të disa marrëveshjeve koncesionare, të cilat janë miratuar nga qeveria por deputetët ende nuk janë njohur me përmbajtjen e tyre. “Marrëveshjet koncesionare vijnë në Kuvend pasi është marrë vendimi dhe vijnë formalisht. Kjo bëhet që Berisha ta përdorë më pas si alibi, siç përdori atë për Gërdecin, që tha se nuk është faj kolektiv. Shumica e kontratave koncesionare janë nën hetim nga Prokuroria. Kjo është shenjë e korrupsionit. Duhet hequr nga kalendari dhe t’i jepet koha deputetëve të lexojnë kontratat”, - është shprehur Braçe.
Topalli: “Sllovenia miraton anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”
Me 78 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët e Asamblesë Nacionale të Sllovenisë i thanë “po” anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, ashtu siç kryetari i Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, Pavel Gantar, ia kishte garantuar kryetares së Kuvendit në bisedën telefonike të pak ditëve më parë. Në letrën e saj drejtuar kryetarit të Asamblesë Nacionale të Sllovenisë, kryetarja e Kuvendit e falënderoi për angazhimin e tij personal, për përfshirjen në axhendën e Asamblesë dhe aprovimin e këtij protokolli brenda një kohe të shkurtër.
10 Shkurt 2009