E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporterët e KE-së takojnë Ramën: Ligji i dosjeve, antikushtetues



Ashtu sikurse ishtë njoftuar ditë më parë, Këshilli i Europës ka dërguar dje në Shqipëri dy reporterët, Jako Lakson dhe Dejvid Uillshajer, qëllimi i të cilëve është vjelja e informacionit mbi ligjin e lustracionit dhe për procedurat e shkarkimit të deputetit Biberaj nga posti i kryetarit të delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KE-së.
Gjatë ditës së djeshme, reporterët janë takuar edhe me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Ky i fundit i ka informuar mbi ligjin e dosjeve, të cilin e ka cilësuar antikushtetues. Rama është shprehur se në qeveri ka ministra me dosje korruptive dhe ka kërkuar që qeveria të tërheqë ligjin.
Palët gjithashtu kanë diskutuar edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për të cilat Rama është shprehur se zgjedhjet janë në rrezik. Dy reporterët, të cilët do të qëndrojnë në Tiranë deri ditën e mërkurë, gjatë pasdites së djeshme mësohet se janë takuar me ambasadoren e Çekisë në Tiranë, e cila mban dhe presidencën e BE-së, me Trojkën e BE-së si dhe me deputetin Biberaj. Ky i fundit i ka informuar reporterët për shkeljen e Rregullores së Kuvendit nga kryetarja Topalli për kërkesën e shkarkimit të tij. Gjatë ditëve në vazhdim, reporterët e KE-së do të takojnë personalitete të rëndësishme të politikës shqiptare. Ata do të njihen nga afër edhe me standardet që janë duke u përdorur në përgatitjet e zgjedhjeve si dhe në fillimin e fushatave.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›