KQZ-ja vendos balancimin e kohës televizive midis PS-së dhe PD-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e tij të fundit, ka vendosur për balancimin e kohës televizive ndërmjet dy partive më të mëdha në vend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, në të gjithë operatorët radiotelevizivë, publikë dhe privatë, në vend. Vendimi i KQZ-së u mor gjatë shqyrtimit të raportit të tretë të Bordit të Monitorimit të Mediave. Raporti u paraqit në mbledhje me dy qëndrime, pasi për tre anëtarë të këtij bordi aktivitetet e Berishës në përurime dhe daljet e funksionarëve të Ministrisë së Brendshme për kartat e identitetit nuk janë përfshirë në kohën e fushatës së Partisë Demokratike. Ndonëse pa vendosur një standard shumica e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me propozim të anëtares Pranvera Shtjefni, vendosi të kompensojë në minutash Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste në operatorë të ndryshëm radiotelevizivë, duke llogaritur si fushatë të Partisë Demokratike vetëm përurimin në kaskadën e Devollit dhe atë në Porto Romano. Duke lënë kështu jashtë kësaj llogaritjeje reagimet e Ministrisë së Brendshme për kartat, përurimin e tunelit Rrëshen-Kalimash dhe përurimin e Petroliferës. Minutazhin për balancimin e kohës televizive ndërmjet PD-së e PS-së i propozuar nga tre anëtarët e Bordit të Monitorimit të Medias u hodh poshtë nga Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve me 4 vota, duke mos arritur vendosjen e një standardi për përfshirjen ose jo të inaugurimeve të Berishës në minutazhin e Partisë Demokratike.
18 Qershor 2009