E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strategjia e PS-së për mbrojtjen e votave nga manipulimet

Selia rozë ka krijuar Grupin Konsultativ për Çështjet e Rendit për monitorimin e procesit.

Partia Socialiste do të vërë në zbatim strategjinë e hartuar që në fillim të këtij viti për të parandaluar dhe demaskuar skemat e mundshme të manipulimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo strategji u krijua nga grupi për trajtimin ligjor dhe administrativ të zgjedhjeve, i cili ka funksionuar pranë Shtabit Qendror Elektoral të Partisë Socialiste. Në të kërkohej përcaktimi i hartës së zonave problematike të administrimit të zgjedhjeve. Gjithashtu ky grup klasifikoi të gjitha llojet kryesore të manipulimit dhe dhunimit të zgjedhjeve. Strategjia parashikonte edhe krijimin e një strukture të posaçme, e cila do të angazhohej gjatë procesit zgjedhor për të mbrojtur votat e Partisë Socialiste. Tashmë kjo strukturë është formuar prej disa muajsh dhe drejtohet nga ish-efektivi i Policisë, Pjerin Ndreu. Në strukturën e mbrojtjes së votave marrin pjesë rreth 700 persona, pjesa më e madhe e të cilëve janë ish-efektivë të Policisë, të larguar nga puna për motive politike nga qeveria aktuale.

Militantët
Në vëmendjen e Partisë Socialiste për të ndalur manipulimet e mundshme të procesit zgjedhor do të jenë edhe militantë të caktuar të Partisë Demokratike, të cilët kanë rezultuar problematikë gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore. Në strategjinë elektorale të selisë rozë, përveç përgatitjeve të strukturave dhe organizatave bazë për përballimin me sukses të fushatës zgjedhore, zë vend gjithashtu edhe një kapitull i veçantë, që është strategjia dhe plani për mbrojtjen e votave nga manipulimet e mundshme. Për këtë arsye, selia rozë u ka dërguar një udhëzim të gjitha strukturave he organizatave të saj lokale për të evidentuar të gjithë personat problematikë në zona, të cilët kanë shkaktuar probleme dhe kanë tentuar të manipulojnë apo kanë manipuluar votat gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore. Sipas burimeve në selinë rozë, evidentimi i personave të tillë nga organizatat dhe strukturat lokale të PS-së do të shërbejë për t’i pasur në mbikëqyrje gjatë procesit zgjedhor dhe për të penguar dhe denoncuar çdo tentativë të tyre për grabitjen apo dëmtimin e kutive të votimit.

Struktura
Struktura që do të angazhohet për mbrojtjen e votave në Partinë Socialiste është quajtur Grupi Konsultativ për Çështjet e Rendit. Kjo strukturë drejtohet nga ish-efektivi i Policisë, Pjerin Ndreu, dhe në të marrin pjesë rreth 700 anëtarë, shumica e të cilëve janë ish-drejtues dhe ish-efektiva të Policisë së Shtetit, të shkarkuar për motive politike nga qeveria aktuale. Detyra e anëtarëve të kësaj strukture është parandalimi i manipulimeve dhe dokumentimit të rasteve apo ndërhyrjeve që cenojnë procesin zgjedhor. Anëtarët e këtij grupi do të qëndrojnë jashtë qendrave të votimit dhe do të vihen menjëherë në veprim, sapo të informohen nga vëzhgues apo komisionerë të PS-së për probleme apo tentativë manipulimi në procesin zgjedhor. Struktura nuk parashikon ndërhyrjen fizike, por ka si për qëllim parandalimin e manipulimeve, dhe të dokumentimit të tyre. Pjesëtarët do të pajisen me mikrokamera për të regjistruar dhe dokumentuar çdo formë presioni apo çdo veprim që cenon procesin zgjedhor. I gjithë informacioni do t’i përcillet Shtabit Qendror të PS-së dhe më pas do të vihet në dijeni publiku dhe Policia e Shtetit.

18 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›