Tatimet: Kemi zbatuar amnistinë
Vetëm një ditë pas publikimit të deklaratës së dhomës amerikanë të tregtisë, mbi amnistinë fiskale ka reaguar edhe drejtoria e përgjithsme e tatimeve. Përmes një deklaratë tatimorët janë shprehur se “Nuk rezulton asnjë rast në të cilin përfaqësuesit e këtij institucioni të kenë dhënë përgjigje apo interpretim zyrtar të ndryshëm nga kushtet e përcaktuara në këtë ligj, si dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij. Rastet e përmendura në Letrën e dërguar nga Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, gjejnë shpjegim të qartë në ligj dhe se Administrata tatimore është e vendosur për zbatimin e tij”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë në një letër të hapur drejtuar kreut të financave, Dhoma Amerikane e Tregtisë theksonte se administrata doganore dhe ajo tatimore nuk janë duke zbatuar ligjin mbi amnistinë fiskale. “Ligji për Amnistinë Fiskale është në ditët e fundit të afatit ligjor, e megjithatë duket se janë të shumta bizneset që e kanë gjetur veten jashtë privilegjit të amnistisë. Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është thellësisht e shqetësuar për interpretimin që po i bëhet së fundmi ligjit në fjalë nga qeveria shqiptare, duke krijuar premisa përjashtuese për një kategori biznesesh që kanë guxuar të çojnë pretendimet e tyre para gjykatës”, thuhej në deklaratën për shtyp të dhomës.