Shtyhet me 3 muaj afati për anijet
Shtyhet me tre muaj afati i ndërprerjes së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë dhe gaz në portet e Durrësit dhe Shëngjinit. Sipas burimeve nga Ministria e Energjetikës, arsyet e shtyrjes së afatit të zbatimit të vendimit që parashikonte ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës dhe gazit në këto porte, brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, është fakti se ende nuk ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës në zonat e përcaktuara nga qeveria. Sipas burimeve nga kjo ministri, qeveria ka vendosur që aktivitetet e transportit të naftës dhe gazit të zhvillohen në zona të ndërtuara enkas për këtë qëllim, si ajo e Porto Romanos në veri të Durrësit dhe zona e ish–Uzinës së Sodë PVC në Gjirin e Vlorës, METE ka informuar në kohë të gjitha subjektet dhe institucionet e interesuara, si dhe ka marrë vendimet përkatëse për ndërtimin e kësaj infrastrukture, e cila është në përfundim në të dyja zonat, përkatësisht nga shoqëria “Romano Port” sh.a. dhe “La Petrolifera Italo – Albaneze” sh.a”. Për të mos ndërprerë aktivitetin e import-eksportit të nënprodukteve të naftës, METE, i ka kërkuar Këshillit të Ministrave këtë shtyrje të afatit.