KQZ, më 13 qershor shpall listat e kandidatëve
Brenda datës 13 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin ligjor për të publikuar zyrtarisht listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo është një ndër pikat e udhëzimit për dokumentet që duhet të plotësojnë kandidatët dhe regjistrimin e tyre në KQZ. Ky institucion ka për detyrë të bëjë verifikimin e dokumentacionit të dorëzuar dhe pas këtij duhet të shpallë listën e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Sot pritet që KQZ-ja të marrë në shqyrtim projektudhëzimin "Për caktimin e rregullave për verifikimin e dokumentacionit të kandidimit dhe afatet e publikimit të listave shumemërore". KQZ-ja publikon listën e plotë të kandidatëve në tri gazetat me tirazh më të madh në shkallë vendi, në mediat elektronike, si dhe në faqen zyrtare të saj në internet. Udhëzimi është i ndarë në pesë pjesë dhe në të jepen etapat që duhet të ndjekin kandidatët për t‘u regjistruar në KQZ dhe detyrat që i takojnë këtij institucioni. Po sot pritet që KQZ-ja të marrë në shqyrtim udhëzimin për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe emërimin e ekspertëve kontabël të licencuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga subjektet zgjedhore për fushatën zgjedhore. Projektudhëzimi parashikon të gjitha hapat që duhet të ndjekë KQZ-ja për emërimin e ekspertëve dhe detyrat që u takojnë të kryejnë.