Meta: S‘mbajmë përgjegjësi për diversionet e Berishës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim deklaroi dje në qytetin e Fierit, se ai nuk mban përgjegjësi për diversionet e Kryeministrit Berisha. Meta ka gjetur sërish rastin që të shpjegojë dhe arsyetojë ndryshimin e kursit politik të LSI-së karshi PS-së gjatë ditëve të fundit. Ai tha se LSI-ja se ka vënë asnjëherë në dyshim bashkëpunimin me të majtën. Njëkohësisht, gjatë këtij takimi Meta shpërndau teserat për anëtarësime të reja, duke festuar edhe 40-vjetorin e lindjes. Para takimit në Fier, Meta zhvilloi një takim në Qytetin e Nxënësve në Tiranë me disa familje në një prej qendrave të jetimëve. Ai i garantoi ata se pas 28 qershorit do të ketë një tjetër qeverisje, e cila do të mendojë për t‘i zgjidhur hallet kësaj shtrese shoqërore në nevojë, duke gjetur mundësitë për punësimin dhe strehimin e tyre. "Në themel të të gjithë angazhimit tonë të ardhshëm dhe qeverisës do të jetë punësimi dhe punësimi për jetimët do të jetë një prioritet i jashtëzakonshëm, pasi është e tmerrshme të shikosh këta njerëz që kanë qenë jetimë që të vegjël, të cilët edhe pasi kanë mbaruar shkollën e mesme ndihen jo vetëm jetimë, por edhe të papunë, të paintegruar, të braktisur", insistoi kreu i LSI-së. Ai siguroi se programi për punësimin e vazhdueshëm dhe afatgjatë, do të ofrojë zgjidhje shumë të kënaqshme.