E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ miraton bordin e monitorimit të mediave

27/05/2005  Nga data 3 qershor do të vëzhgohen lajmet dhe spotet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi ngritjen e Bordit të Monitorimit të Medias, si edhe caktoi 7 anëtarët e tij. KQZ vendosi që mbledhja e parë e Bordit të mbahet në datën 30 maj 2005. Anëtarët e Bordit u caktuan një nga secili anëtar i KQZ, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Iris Luarasi, Mimi Mano, Mujë Buçpapaj, Ilir Zhilla, Denion Ndrenika, Flamur Gashi dhe Zylyftar Bregu, do të jenë personat që do të kenë nën vëzhgim televizionet gjatë fushatës elektorale. Në mbledhjen e tij të parë, Bordi i Monitorimit të Medias do të zgjedhë njërin prej anëtarëve të tij si kryetar. Ngritja e Bordit të Monitorimit vijon marrëveshjen e bashkëpunimit të nënshkruar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit. Qëllimi i marrëveshjes është angazhimi në përputhje me detyrimet përkatëse kushtetuese dhe ligjore, për përcaktimin e rregullave, mënyrës dhe afateve të shfrytëzimit, të kapaciteteve teknike të KKRT-së, për nevojat e monitorimit të fushatës zgjedhore 2005, në radion dhe televizionin publik dhe privat, në funksion të Zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të vitit 2005. Veprimtaria e BMM-së zhvillohet në bazë të parimit të pavarësisë, profesionalizmit, paanësisë dhe të transparencës, duke zbatuar ligjin për mbrojtjen e së drejtës së shtetasve për një votim të lirë, të fshehtë, të drejtpërdrejtë dhe të barabartë. Bordi i Monitorimit të Medias përgatit një raport të përditshëm mbi monitorimin e radiove dhe televizioneve. Raporti i përditshëm i monitorimit depozitohet pranë KQZ-së jo më vonë se ora 1200 e ditës pasardhëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›