E Hënë, 2 Nëntor 2026

Porto-Romano, fëmijët me anemi

27/05/2005  Fëmijët, probleme me mushkëritë dhe djegie të lëkurës. Për të rriturit asnjë e dhënë

U ekzaminuan rreth 200 banorë të ish-kimikes, përgjigjet vetëm për fëmijët

Fëmijët e Porto-Romanos vuajnë nga anemia, kanë probleme të traktit të frymëmarrjes si dhe plagë në lëkurë. Mjekët e pavionit të sëmundjeve profesionale, së bashku me specialistë të Ministrisë së Mjedisit, bënë një studim të gjendjes shëndetësore të fëmijëve që banojnë pranë Porto-Romanos, vendi ku janë magazinat e lindanit dhe disa pesticide të tjera. Fëmijët e ekzaminuar ishin të moshës 11 deri 15 vjeç. Kampionet janë marrë që në muajin janar, dhe janë vonuar plot pesë muaj. Banorët u lajmëruan se do të merrnin përgjigjet në dy javët e para të muajit shkurt. Vonesa e përgjigjeve të analizave i ka shqetësuar familjarët. Nuk dihet se përse do t’u jenë dashur tre muaj e gjysmë mbi premtimin mjekëve për të publikuar rezultatet e këtyre ekzaminimve, të cilat, gjithsesi duket se nuk janë shumë të plota.

Ekzaminimi

“Nga ekzaminimet doli se një numër i madh fëmijësh vuajnë nga anemia”, thotë Skënder Skënderaj, shefi i pavionit të sëmundjeve profesionale në Qendrën Spitalore të Tiranës, QSUT. Por nuk ishte vetëm anemia vuajtja e këtyre fëmijëve. Ata kishin dhe shumë probleme të traktit të frymëmarrjes. Ndërkohë që probleme kishte dhe në lëkurën e tyre, kjo nga avujt e lindanit dhe gazrave të ndryshme të lëshuar në ajër nga këto pesticide. Në lëkurën e tyre, vende-vende janë hapur dhe plagë të vogla, që tregojnë për një dëmtim të epidermës.

Kampione dhe për të rriturit

Në muajin janar të këtij viti, në kuadër të studimit të shkallës së ndikimit në jetën e banorëve të kimikateve të rrezikshme, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë kanë marrë kampion gjaku të rreth 200 banorëve. Në këtë fazë të parë, e cila do të vijonte me analizat e ujit të puseve si dhe me EZHE-në e

trurit, janë zgjedhur banorë të moshave të ndryshme. Megjithatë dje, shefi i pavionit të sëmundjeve profesionale, deklaroi vetëm të dhënat e analizave të fëmijëve, jo për të rriturit.

Shqetësimet shëndetësore

Banorët e vendosur në Porto-Romano dhe që janë pranë zonës së infektuar e të ndotur, kanë paraqitur probleme serioze shëndetësore. Shqetësimet kanë qenë kryesisht në infeksionin e lëkurës, djegie të rrugëve të të nuhaturit e të frymëmarrjes, lotim të syve, ulje e rezistencës, prekje e lehtë nga gripi, por edhe probleme pneumonare dhe ato të sistemit nervor. Sipas tyre, janë të shumtë banorët që kanë shfaqur ankesa për dhembje koke, marrje mendsh, kollë e fortë, të vjella, deri edhe hemorragji nga hundët e goja etj.

Në Porto-Romano

Niveli i ndotjes në tokë është 670 mijë mg/kg

Në ajër 9700 mg/m3

Ish-Uzina Kimike e Durrësit,

pika më e ndotur në vend

Sipas studimit të bërë nga UNEP, zona e ish-Uzinës Kimike të Durrësit është përcaktuar si një nga pikat më të nxehta mjedisore në Shqipëri. Ndërmarrja kimike në Durrës, ka punuar deri në vitin 1990, duke prodhuar bikromat natriumi dhe pesticide si lindan etj. Aktualisht, rezultojnë rreth 60.000 tonë mbetje toksike në territorin e uzinës. Probleme mjedisore paraqiten nga ndotja e tokës me lindan dhe me krom 6-valent. Gjithashtu, ujërat nëntokësore dhe ato sipërfaqësore janë potencialisht të ndotura, duke përfaqësuar një rrezik për jetën e disa mijëra banorëve që jetojnë brenda dhe rrotull kësaj zone.

Fabrika e kthyer në strehëz fatkeqe

NISH kimike në Durrës është ndërtuar në vitin 1968, ndërsa pas paralizimit të aktivitetit dhe braktisjes së saj nga punëtorët e specialistët pas vitit 1990, zona ka filluar të popullohet. Banorët e shpërngulur nga zona të thella kanë ndërtuar shtëpitë e tyre jo vetëm pranë, por edhe brenda fabrikës, madje edhe në atë që quhet zona e oxhakut.

Vetëm 4 familje janë shpërngulur

Për 4 familjet që jetojnë brenda ish-fabrikës është akorduar fondi për t’i larguar. Afati i përfundimit të rinovimit të banesave për ta ka qenë korriku i vjetshëm. Çdo vonesë e shpërnguljes së tyre, është një kërcënim për shëndetin e tyre. Për të shpëtuar 17 banorë të këtyre 4 familjeve të kësaj zone nga lëndët helmuese, fondi i akorduar për ta ishte 7 milionë lekë. Ka mbaruar rrethimi me mur i zonës së rrezikshme dhe sasia e pesticideve është menduar të dërgohet në Gjermani për asgjësim.

Nuk janë në gjendje shëndetësore të rëndë, por mushkëritë e tyre janë blozë e pluhur

Ngarkesa e mushkërive të policëve në kryqëzim, 2-3 herë mbi normën

Jo vetëm banorët e Porto-Romanos janë diagnostifikuar, por janë bërë analizat dhe ekot e 72 policëve që punojnë në kryqëzime, të cilat janë quajtur dhe pikat më të ndotura të Tiranës. Gjendja shëndetësore e këtyre punonjësve nuk ka qenë e keqe, megjithëse është vënë re se ngarkesa e pluhurave në mushkëritë e tyre është dy deri tri herë më e lartë se sa te njerëzit normalë. Ndërsa te fëmijët e Porto-Romanos dëmtimi ka dhënë simptoma, te policët ende jo, pasi kanë imunitet të fortë, janë organizma të rritur. Në kryqëzime, pikërisht në atë të “21 Dhjetorit”, është shënuar dhe ndotja më e lartë për kryeqytetin. Bloza e makinave me naftë, të vjetëruara së tepërmi dhe pluhuri i ndërtimeve, janë ndotëset më të mëdha të kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›