E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ miraton elementët e sigurisë për fletët e votimit

10/06/2005  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka miratuar dje përmasat dhe elementët e sigurisë së fletëve të votimit. Sipas vendimit, fletët do të kenë tre elementë sigurie. Kompania që do të prodhoje fletët do të vendosë letër me elementë sigurie të dukshëm dhe të padukshëm si dhe elementë sigurie mikroprint. Vendimi është miratuar me 7 vota pro dhe asnjë kundër. Ndërsa javën e ardhshme kompania do të nisë prodhimin e fletëve të votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t'i paraqesë kompanisë numrin e kandidatëve dhe emrat e tyre për çdo zonë si dhe partitë përkatëse. Sipas vendimit, emri i kandidatit do të vendoset në krahun e majtë të fletës, ndërsa emri i partisë në anën e djathtë. Po kështu do të veprohet dhe me siglat në fletët ku do të votohet proporcionali. Dje është kërkuar që hapësira që ndan emrat nga njëri-tjetri duhet të jetë e barabartë. Ndërsa është kërkuar që votuesit të zgjedhin, duke shënuar + ose X në katrorin që është në krah të kandidatëve. Për herë të parë, fletët do të kenë dhe elementët dallues për të verbërit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar me shoqatën e të verbërve, para çdo kandidati do të vendoset një shenjë dalluese. Ndërsa të verbërve kur të paraqiten për të votuar do t'u jepen një diktofon, ku do të sqarohet se kujt kandidati apo partie i përket shenja e vendosur. Në këtë mënyrë ata nuk do të kenë nevojën që të kenë persona të tjerë për ndihmë kur të votojnë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›