E Hënë, 2 Nëntor 2026

Viti '97 nuk duhet të harrohet, kush kërkon këtë, është me PD

12/05/2005  Elmaz Sherifi thotë se marrëveshja mes PD dhe PR për shkëmbimin e kandidatëve bie në kundërshtim me Kodin

Sekretari për Çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Elmaz Sherifi, tha në një prononcim për "Metropol", se viti 1997 nuk duhet të harrohet dhe se ata që kërkojnë këtë duan fitoren e PD-së. Nga ana tjetër, ai thekson se socalistët do të bëjnë marrëveshje me aleatët e tyre, duke u bazuar në kodin zgjedhor, duke e cilësuar koalicionin e PD-së antiligjor.

Zoti Sherifi si e komentoni reagimin negativ që ka shkaktuar kongresi i disa ditëve më parë në politikën shqiptare?

Regimi është i pritshëm edhe nga Partia Demokratike dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse në filozofinë e tyre funksionon koncepti që duhet kundërshtuar çdo gjë e mirë që bëhet në Partinë Socialiste. Nuk përbën ndonjë ngjarje ky vlerësim. E vërteta është se këtë kongres e kanë vlerësuar ata, të cilët shpresonin te programi elektoral që u miratua, te kandidaturat e miratuara dhe që do të jenë përfaqësuesit e kësaj force politike dhe te përfituesit realë. Fakti që kongresi ka qenë një spektakël i vërtetë për nga forma dhe në një përmbajtje shumë interesante, ku gjetën vetveten shtresa të ndryshme të shoqërisë dhe përfaqësuesit më të spikatuar të këtyre shtresëzimeve, do të thotë se besimi te kjo forcë politike ka ardhur duke u zgjeruar dhe jo duke u ngushtuar. Ky është elementi më thelbësor që ne na bën optimistë për faktin se aty nuk pati vetëm subjekte që interpretuan, por aty u bënë objekt i të gjithë kongresit vetë shoqëria shqiptare.

Le të bëhet një krahasim se kush ishin kongreset dhe konventat që bënë këto forca politike dhe cili ishte kongresi elektoral që bëri PS-ja. Këtë më mirë e japin opinionet e këtyre shtresave të shoqërisë së Shqipërisë, ku japin mendimet e tyre përfaqësuesit më të lartë të shkencës, së arsimit e të kulturës, të cilët ishin elita e këtyre fushave, por edhe shtresave në nevojë, ku shoqata dhe kryetarë të këtyre shoqatave shprehen vlerësimet më të larta dhe besimin e patudur që kanë te programi i PS-së.

Kjo nuk vjen thjesht nga ngjyra rozë, e cila të krijon shpresë dhe besim, nuk vjen nga mënyra se si u realizua ky spektakël dhe ky kongres elektoral, por vjen nga fakti se ata kanë gjetur interesat e tyre të përfaqësuara nëpërmjet ligjeve, që janë miratuar në parlament të vendimeve të qeverisë dhe udhëzimeve të ndryshme, që kanë dalë dhe që kanë garantuar realisht këto të drejta. Mjafton ta nisim me shoqatën e paraplegjikëve, të cilët me ligj kanë pensione shumë më të favorshme se më parë, domethënë ndryshimi është i dukshëm dhe në programin elektoral, ata gjejnë ndryshime dhe më të gjera dhe më të thella, duke parë përfitime reale. Duke marrë shtresat në nevojë të shoqërisë, që u përfaqësuan në mënyrë shumë interesante dhe që këtë përshëndetje nuk u bënë thjesht për simpatitë, për individë të caktuar, por ata kanë gjetuar te programi i PS-së dhe qeverisja e saj interesat e tyre. Mund të kujtoj ligje të tëra dhe vendime të qeverisë në prag të zgjedhjeve elektorale. Është shoqata e ushtarakëve, që e ka kërkuar këtë status kur kanë qenë të tjerë kryeministra socialistë dhe nuk kanë arrituar të realizojnë këtë status. Në një kohë që kryeministër është ai që shahet aq shumë nga ata, është Fatos Nano. Mund të them se janë shumë shoqata të tjera, edhe pse nuk patën përshëndetjet e tyre, por kanë gjetur në mënyrë të qartë interesat e tyre. Janë një mënyrë e re organizimi për biznesin social dhe tani shoqatat jofitimprurëse po merren me shtresat më në nevojë të shoqërisë si gratë e papuna dhe ato gra që rehabilitohen etj. Ashtu siç mund të themi për artistët, për arsimtarët, të cilëve u janë bërë realitet pagat e tyre, tashmë nuk ka krahasim paga e pedagogut të një universiteti me të kaluarën dhe së shpejti do të dalë dhe vendimi i qeverisë që bën një zgjidhje, ashtu siç është premtuar, për të gjiths shtresat e shoqërisë që do të ketë rritje të pagave. Ky është kongresi që ka ringjallur besim, duke pasur parasysh këtu dhe ndjesën që kërkoi kryetari i partisë për të gjitha ato mosrealizime gjatë qeverisjes socialiste.

Kongresi nuk ka miratuar ose të paktën nuk ka publikuar listën e plotë të kandidatëve për deputetë. Çfarë pritet të ndodhë me këtë listë?

Kongresi ka bërë ratifikimin e 100 kandidatëve për deputetë nga të gjithë delegatët. Ratifikimi ka ardhur për shkak të një procedure të gjerë konsultimi që ka pasur Kryesia e partisë, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues me të gjitha strukturat e PS-së. Mund të them që ka një bindje që në shumicën absolute të zonave kandidatët e PS-së do të fitojnë si rezultat edhe i kësaj mënyre kooperimi në përzgjedhjen e kandidatëve. Kandidatët kultivohen dhe nuk vijnë si votim i strukturave, bazë dhe më lart. Kjo është procedura e re e bazuar në statutin e partisë. Nuk mund të votosh në kongres, pasi atje bëhet vetëm një ratifikim dhe mënyra është se si shprehet kongresi.

Cilët janë hapat që do të hedhë PS-ja në ditët në vijim?

Trajnimi i 100 kandidatëve për deputetë është veprimi i parë politik që do të bëjë Partia Socialiste. Strukturat drejtuese, departamentet e specializuara në parti, të cilat po punojnë për të përgatitur të gjitha udhëzimet dhe kujtesat e nevojshme, që japin një ndihmesë për të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët do të jenë jo vetëm aktorët kryesorë në përparimin e fushatës, por dhe organizatorët e stafeve, në mënyrë që e gjithë veprimtaria të jetë ligjore. Kjo do të thotë që të punohet që tani për të zgjedhur anëtarët e komisoneve të qendrave të votimit, për të zgjedhur përfaqësuesit e deputetëve, për të përgatituar dhe të gjitha listat që duhet të paraqiten në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, e cila është një veprimtari që po krijon një problematikë. Në përcaktimin e emrave për Komisionet Zonale Zgjedhore, Partia Demokratike ende dhe sot nuk ka paraqitur emrat e komisionerve, duke u shndërruar në një pengesë kryesore, që këto komisione nuk janë ngritur ende. Ne jemi shumë kritikë për këtë veprimtari dhe këtu duket dhe demagogjia e kësaj partie për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe demokratike, ndërkohë që nga ana tjetër ajo po pengon ngritjen e KZZ-ve. PD-ja nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë të komisionerëve, ku kërkohet verifikime nga Ministria e Drejtësisë.

Kohët e fundit nga baza socialiste dhe struktura të degëve janë shënuar debate në lidhje me disa emra të kandidatëve për deputetë. Si është operuar me këto debate?

Debatet në bazë kanë qenë kaq minimale në raport me çdo fushatë zgjedhore sa nuk mund të imagjinoni. Është tjetër gjë lufta mediatike dhe realiteti. Pra, PS-ja tashmë po fiton filozofinë se në bazë të statutit dhe procedurave, detyra që ka baza është të punojë për të dimensionuar figurën dhe autoritetin e kandidatit për deputet. Në këtë kuptim nuk ka asnjë përplasje midis strukturave të PS-së dhe kandidatëve të miratuar nga kongresi i partisë. Kandidatët kanë vendosur kontaktet e para me strukturat e partisë, pasi ne kemi një fuksionim të ri, ku janë 100 këshilla zonale elektorale dhe kandidatët për deputetë po lidhen pikërisht me këtë strukturë, që do të jetë e lidhur ngushtë me zgjedhjet.

Çfarë qendrimi do të mbahet me aleatët?

Kjo është një fushë e strukturave politike të partisë që ende nuk ka një vendim. Ajo që ka rëndësi është deklarimi i të gjitha forcave të majta, që janë tek aleanca e sotme dhe që dëshirojnë të bashkëpunojnë, do të ketë një bashkëpunim në përputhje me kodin zgjedhor. Veprimtaritë siç ka bërë Partia Demokratike, me aleatët e saj, si Partia Republikane, e cila nga ana e saj do të ketë kandidatë për deputetë nën siglën e PD-së, është një veprimtari që bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor dhe si e tillë nuk ka për t'u realizuar. Kjo do të jetë e bukur për disa ditë, por PR-ja është e detyruar që të vendosë 100 kandidatura në 100 zona zgjedhore. Kjo do të thotë se përderisa PD-ja vendos në siglën e saj disa emra të PR-së dhe PR-ja do të ketë nën siglën e saj disa emra të PD-së. Kjo është një veprimtari në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, me nenin 15 të tij. Me sa duket kjo dispozitë nuk njihet as nga PD-ja, as nga PR-ja, kjo do të thotë që nuk do të zbatohet ashtu siç thonë ata. KQZ-ja është e detyruar që të regjistrojë kandidatët e tyre në 100 zona leketorale.

Mendoni se është e gjetur nga PS-ja rikthimi në vëmendje të opinionit publik të ngjarjeve të 1997?

Ngjarjet e '97 nuk duhet të harrohen kurrë. Ata që bëjnë thirrje për t'i haruar këto ngjarje do të thotë që kanë dëshirën që të fitojë Partia Demokratike. Sigurisht që PD-së nuk i intereson kujtimi i kësaj historie tragjike të vetë shtetit shqiptar, të popullit shqiptar të mijëra viktimave dhe të humbjes së dinjitetit të shtetit. Unë nuk e kuptoj apologjinë e disa të tjerëve, të cilët kanë qenë edhe ata të goditur nga kjo veprimatri dhe në këtë sens do të thosha se kjo veprimtari nuk duhet harruar kurrë. Për aq pak sa të vlejë sa të bëhet injektuese në ndërgjegjen e çdo shqiptari, të cilët duhet të kuptojnë se ata që krijuan '97 janë gati të krijojnë një 2007.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›