E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kreu i ODIHR takime me Nanon dhe Celibashin

12/05/2005  Kryetari i Misionit Vëzhgues Afatgjatë të OSBE/ODIHR, ambasadori Jorgen Grunnet dhe kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Pavel Vaçek, kanë zhvilluar dje takime me Kryeministrin e Shqipërisë, Fatos Nano dhe kryetarin e KQZ-së, Ilirian Celibashi. Gjatë takimit, Kryeministri Nano vlerësoi rolin e rëndësishëm që luan OSBE/ODHIR në reformat në fushën e zgjedhjeve në Shqipëri. Nano theksoi edhe një herë vullnetin e qeverisë shqiptare për një proces zgjedhor, sipas standardeve dhe parimeve demokratike. Kryeministri vlerësoi gjithashtu se për maxhorancën që ai drejton standardet e zgjedhjeve janë shumë të rëndësishme. Nano i njohu gjithashtu përfaqësuesit e lartë të OSBE/ODIHR me angazhimin e qeverisë për zbatimin e plotë dhe në afate të të gjitha kërkesave të Kodit Elektoral, ndërsa theksoi vullnetin për të bashkëpunuar me të gjithë organizmat ndërkombëtarë, që do të ndjekin dhe monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri. Ndërsa në takimin me kreun e KQZ-së është theksuar angazhimi i ODIHR në monitorimin e përgatitjes për administrimin e zgjedhjeve si dhe të procesit të votimit. Përfaqësuesit e lartë të OSBE/ODIHR theksuan në takim se Misioni Vëzhgues do të bashkëpunojë ngushtësisht me qeverinë, institucionet shtetërore shqiptare dhe me gjithë forcat politike për të bërë të mundur realizimin e një procesi sipas standardeve të kërkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›