E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Rama një njeri që nuk e do vendin

29/05/2009  Turi “Gratë për fitoren”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në turin e saj “Gratë për fitoren” zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat e njësisë bashkiake numër 10 në Kryeqytet, zonë përreth qendrës, ku jetojnë një pjesë e madhe e familjeve tradicionale të Tiranës. Ajo ftoi gratë të bëhen pjesë e projektit të madh të Shqipërisë që po ndryshon, të japin nga vlerat, dashuria, vendosmëria dhe vizioni i tyre për vijim e këtij projekti. Kryeparlamentarja, duke kërkuar votën e banorëve të kësaj njësie, u ka kujtuar atyre që të mos e adresojnë ndaj Partisë Socialiste, kryetari i së cilës nuk i do qytetarët e tij. “Sa herë që dëgjoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës të flasë për Shqipërinë, i them vetes: ‘Nëna, prindi më shumë se kushdo tjetër do familjen. Një njeri që nuk do familjen, natyrisht nuk e do vendin. Një njeri që nuk do familjen, natyrisht nuk mendon për kombin, aq më pak për zhvillimin e këtij vendi, për progresin e këtij vendi”, - theksoi Topalli. Ajo tha se në katërvjeçarin e ardhshëm qeveria që përfaqëson do të bëjë më shumë për asistencën, do të rrisë buxhetin, rrogat e pensionet, duke ngritur më lart imazhin e Shqipërisë. “Katërvjeçari i ardhshëm do të jetë katërvjeçari i sfidave të tjera të mëdha. Së bashku do të plotësojmë të tjera ambicie, së bashku do të arrijmë të tjera maja, së bashku do të rritim më shumë imazhin e Shqipërisë evropiane”, - përfundoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›