E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli në aksin rrugor Durrës- Kukës: Rama hedh baltë çdo ditë mbi këtë rrugë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli njëkohësisht dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, zhvilloi dje një vizitë në aksin rrugor Durrës-Kukës-Morinë. Ajo zhvilloi takime me drejtuesit e firmës që realizuan projektimin dhe punimet në këtë aks rrugor, si dhe me banorët e qytetit të Rrëshenit. Kryetarja Topalli e cilësoi ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës si kolosin më të madh infrastrukturor që ka njohur Shqipëria. Por, Topalli nuk la pas edhe akuzat për kryesocialistin dhe njëkohësisht kryebashkiakun e Tiranës, që sipas saj ka hedhur baltë çdo ditë mbi këtë rrugë, që ka sjellë zhvillimin ekonomik dhe rritje të ardhurash. Kjo rrugë po ndërtohet me gjithë helmin që hedh kryetari i Bashkisë së Tiranës, me llumin që përpiqet të lëshojë dhe me duart që i ka bërë gjithë baltë, nënvizoi Topalli. Ndër të tjera, kryetarja e Parlamentit gjatë bisedës që zhvilloi me projektuesit e kësaj vepre u shpreh se nuk gjente dot fjalë për ta përcaktuar realisht ndërtimin e kësaj rruge, por tha se është një arritje shumë e madhe e qeverisë shqiptare ndërtimi i kësaj rruge, pasi sipas saj kjo rrugë do të sjellë dhe një frymë të re bashkëpunimi ndërmjet kombit tonë, dhe do të sjellë një bashkëpunim të madh ekonomik dhe politik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa për drejtorin e projektit kjo vepër ka qenë një sfidë profesionale, për ne shqiptarët ishte një objekt që mund të mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve. Ndërkohë që është bërë në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për tu bërë e mundur të mbyllet në qershor, theksoi ajo. Gjatë prezantimit të projektit të rrugës menaxheri Mikael Suinford falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë projektit për ndërtimin e kësaj rruge qeveria shqiptare dhe kryeministri i saj Sali Berisha, dhe e cilësoi ndërtimin e kësaj rruge si veprën dhe eksperiencën e tij më të madhe në karrierën e tij tridhjetë vjeçare. Ne kemi 3 800 njerëz, nga të cilët 60 për qind e tyre janë Shqiptarë. Ata punojnë 24 orë në ditë, 30 ditë në muaj, dhe ishin ata që bën të mundur realizimin e kësaj vepre madhore, tha menaxheri i projektit Mikael Suinford në fjalën e tij drejtuar Jozefina Topallit gjatë prezantimit të projektit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›