E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, miraton listën e Partisë Socialiste

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në unanimitet paraditen e djeshme listën shumëemërore të Partisë Socialiste, pasi e pati kthyer atë të shtunën, ngaqë kjo e fundit nuk kishte përmbushur kriterin e 30 % të kandidateve femra në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë, dje, Partia Socialiste ka paraqitur pranë KQZ-së rregullimet e kërkuara për Qarkun e Lezhës, duke shpallur si kandidate në vendin e 8 të listës shumëemërore të këtij qarku, Linda Frrokun. Por, duke qenë se Qarku i Lezhës ka 7 mandate, edhe PS-ja kësaj here ka ndjekur hilenë që bëri disa ditë më parë Partia Demokratike për disa qarqe, duke fryrë në mënyrë artificiale listat me kandidatë më shumë sesa mandate ka një qark. Një praktikë e tillë u përdor prej PD-së në Lezhë, Kukës dhe Elbasan, ndërkohë që PS-ja, nga ana e saj, e denoncoi këtë fakt. Por PS-ja, ashtu si edhe PD-ja, ka shfrytëzuar pikërisht vakumin që ekziston në Kodin Zgjedhor, e konkretisht në nenin 67 të tij, ku përcaktohet numri minimal i kandidatëve që duhet të paraqesë një forcë politike në listat e saj për çdo qark, por jo ai maksimal, duke e lënë atë të hapur, që të shtohet edhe me emra fiktivë. Duke iu referuar pikërisht kësaj hapësire, dy partitë e mëdha, me qëllim plotësimin e kriterit të 30%-shit, janë detyruar që të shtojnë emra kandidatesh femra mbi numrin e mandateve që i është caktuar çdo qarku. Nëse për PD-në kjo ishte më e theksuar, edhe PS-ja, në anën tjetër, është detyruar që ta shfrytëzoje këtë hapësirë për Qarkun e Lezhës, që ishte edhe shkaku i mosmiratimit të listës së qarqeve të tjera për këtë parti nga ana e KQZ-së. Ndërkohë, PS-ja ka ndryshuar listën e saj edhe në disa qarqe të tjera, si Shkodra dhe Kukësi, duke bërë të mundur plotësimin e kuotës ligjore të përfaqësimit të grave. Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme KQZ-ja miratoi edhe listat e disa partive të vogla, por ende edhe shumë parti të tjera nuk i kanë dorëzuar listat, të cilat kanë pasur parregullsi, duke krijuar kështu vështirësi në procesin e prodhimit të fletëve të votimit, e në këtë mënyrë, rrjedhin zinxhir të gjitha mangësitë e tjera. Konkretisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi listat e kandidatëve për deputetë të LZHK-së, PBK-së, BLD-së, LDK-së e PDK-së. Ndërkaq, për tu shqyrtuar nesër kanë mbetur edhe listat e disa parti të tjera të vogla, të cilat paraqisnin probleme, kryesisht me dokumentacionin. Vonesat e deritanishme të partive politike, lidhur me paraqitjen e dokumentacionit të nevojshëm për listat e kandidatëve, kanë krijuar vështirësi për mbarëvajtjen e përgatitjeve mbi procesin zgjedhor. Këtë fenomen negativ i përsëritur edhe në zgjedhje të tjera, e ka shprehur vetë  Kryetari i KQZ-s gjatë mbledhjes së djeshme, Arben Ristani, i cili u bën thirrje subjekteve zgjedhore të dorëzojnë menjëherë listat e rregulluara, megjithëse dje ishte edhe afati i fundit i miratimit të listave të kandidatëve për deputetë të partive politike nga KQZ-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›