E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, ambasadori britanik: Rrezikohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE

 

Shkodër / Ridvan Dibra

Ambasadori britanik në Shqipëri, Fraser Willson, ka folur hapur dhe qartë nga Shkodra për ligjin e “Dosjeve”. Për herë të parë një diplomat i një vendi të rëndësishëm si Britania e Madhe ka paralajmëruar Shqipërinë se, nëse zbaton ligje në kundërshtim me Kushtetutën, ajo rrezikon t’i bashkohet familjes evropiane. “Deri tani qeveria nuk duket të ketë pasur në vëmendje shqetësimet e BE-së dhe të tjerëve, vendas dhe ndërkombëtare, për ligjin ‘Për pastërtinë e figurave’. Pasojat e kësaj çështje për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE janë shqetësuese, kur qeveria ka shpallur synimin e saj për të aplikuar për statusin e vendit kandidat. Mbetet për t’u parë nëse zbatimi i ligjit do pezullohet deri sa Gjykata Kushtetuese të shprehet për ligjin”, tha ambasadori britanik në Tiranë. Këtë deklaratë ambasadori Willson e bëri gjatë një ligjërate me pedagogë dhe studentë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” në lidhje me “Forcimin  e Rrjetit të Qendrave të Informacionit mbi Bashkimin Evropian në qytetet universitare të Shqipërisë”, një projekt ky i mbështetur nga delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri. Gjatë këtij takimi ambasadori shoqërohej nga Thomas von Handel, Shef i Sektorit të Politikës, Ekonomisë dhe Informacionit në delegacionin e Komisionit Evropian në Tiranë. Duke folur për reformat në drejtësi, ambasadori britanik tha se kjo reformë kaq e domosdoshme për integrimin e vendit po ecën shumë ngadalë.  
“Reforma e gjyqësorit nuk është kompletuar akoma dhe janë të pakta premisat që kjo gjë do ndodhë përpara zgjedhjeve. Raporti i Progresit i Komisionit Evropian i vitit 2008 e bënte të qartë se, “procedurat e gjyqësorit kanë mbetur të ngadalta dhe nuk kanë transparencë. Reforma e gjyqësorit është thelbësore për progresin e integrimit të Shqipërisë. Masa si ligji i ri ‘Për pastërtinë e figurave’ kërcënojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe organit të akuzës. Elementët e korruptuar brenda gjyqësorit duhen eliminuar shpejt dhe përfundimisht. Partnerët e Shqipërisë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, janë gati ta ndihmojnë atë për të zbatuar një reformë më të gjerë dhe më të thellë në gjyqësor”, u shpreh Willson. Ambasadori britanik ka hedhur kritika të forta për shkallën e lartë të korrupsionit në vend. “Perceptohet se korrupsioni në Shqipëri është i madh. Ky është problem po aq i madh sa vetë niveli i lartë i korrupsionit. Nëse njerëzit besojnë se zyrtarët kryesorë janë të korruptuar, atëherë ata as nuk do të përpiqen t’i kërkojnë shërbimet që u takojnë. Efekti pra është i njëjtë, si kur korrupsioni është i lartë, si kur njerëzit besojnë se është i tillë”, u shpreh ambasadori gjatë leksionit të tij. Për të dhënë rezultate konkrete dhe për të rritur besimin e qytetarëve tek institucionet, Willson tha se duhet të ketë ndëshkime konkrete për zyrtarët e korruptuar. “Publiku duhet të shohë se asnjë zyrtar apo politikan sado i lartë nuk do t’i shpëtojë dënimit nëse gjykohet fajtor për korrupsion. Rastet e dyshuara për korrupsion në nivele policore apo gjyqësor e prokurori, por edhe për politikanë të lartë, duhet të hetohen plotësisht dhe aty ku ka prova të çohen në gjyq. Është jetësore që kjo të bëhet njësoj për të gjithë dhe pa mbajtur anë. Pasuritë e vëna nga korrupsioni duhen sekuestruar. Vetëm atëherë ata që tundohen nga ryshfetet do të kenë frikë se -nëse kapen- jo vetëm do shkojnë në burg, por edhe do t’u konfiskohen frutet e fituara nga krimi”, tha ambasadori Willson.

Pedagogët, replika me ambasadorin
Qëndrimi i hapur i ambasadorit britanik në Tiranë ndaj ligjit “Për pastërtinë e figurave” dhe përplasjen që ai ka me Kushtetutën, ka ngjallur reagim në sallën e leksioneve të universitetit “Luigj Gurakuqi”. Disa herë pedagogë dhe studentë i kanë kërkuar në mënyrë eksplicite ambasadorit se në çfarë nenesh ligji i qeverisë për “Dosjet” ka përplasje me Kushtetutën e vendit. Pa dashur të japë shpjegime juridike për këtë çështje, ambasadori është shprehur se ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, Shqipëria mori iniciativë të zbatojë një ligj të tillë vetëm pas 17 vjetësh. Sipas tij, “nëse në një vend kemi zbatim të ligjeve që bien në kundërshtim me Kushtetutën nga qeveria e këtij vendi, atëherë vendi parimisht shkon drejt diktaturës”. Kjo frazë e ambasadorit ka nxitur më tej kundërshtitë e kryesisht pedagogëve, të cilët kanë arritur deri në kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës që ligji i “Dosjeve” të bëhet i zbatueshëm. “A mund të lihet pa u zbatuar një ligj nëse nuk përputhet me Kushtetutën, kur dihet shumë mirë se Kushtetuta mund të ndryshojë? A duhet që një popull t’i nënshtrohet kushtetutës?”, ishin disa nga pyetjet e ngritura ndaj ambasadorit.

Dosjet, KE: Pezulloni zbatimin e ligjit

ADI SHKEMBI

Këshilli i Evropës i kërkon zyrtarisht qeverisë shqiptare të mos nisë zbatimin e ligjit deri sa të shprehet Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, kësaj të fundit i kërkon të presë mendimin e Komisionit të Venecias para se të shoh kushtetutshmërinë e tij. Pas një vizite tre ditore në Tiranë të dy reporterëve të Asamblesë Parlamentare të KE-së, ky institucion ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku i kërkon Tiranës të mos nisë zbatimin e ligjit “Për lustracionin”. “Jaako Laakso dhe David Wilshire kanë kaluar dy ditë në Tiranë, duke diskutuar mbi ligjin e ri dhe mbi mënyrën se si ishin marrë vendimet për delegacionin e Shqipërisë në PACE. Ata i bënë thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë ta dërgojnë ligjin e miratuar në Komisionin e Venecias të KE për t’u siguruar e përshtatet plotësisht me detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Këshillit të Evropës. Atë që e kanë përsëritur në të gjitha takimet në Tiranë me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, kryeparlamentaren Topalli si dhe një sërë takimesh të tjera dy reporterët e KE, institucioni i Strasburgut ia kërkon qeverisë shqiptare publikisht, duke i thënë të mos nisë zbatimin e ligjit. Kjo sipas KE-së, do të ndikojë në shmangien e përplasjeve në vend. “Siç theksuan grupi i raportuesve, një mënyrë për të evituar krijimin një krize, mund të jetë vonesa në zbatimin e ligjit të Lustracionit deri kur Gjykata Kushtetuese të ketë rishikuar kushtetutshmërinë e tij dhe deri kur komisioni i Venecias të ketë pasur mundësinë të shqyrtojë atë”, vijon deklarata. Një tjetër shqetësim i KE është fakti se zbatimi i ligjit të dosjeve, i cili është miratuar vetëm me votat e maxhorancës, mund të sjellë përplasje mes partive politike në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Grupi i raportuesve për Shqipërinë në Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) e kanë bërë të qartë se ka mundësi për përplasje të madhe të partive politike përpara zgjedhjeve të qershorit për shkak të ligjit të ri të Lustracionit në Shqipëri dhe u kanë bërë thirrje të gjitha palëve të bëjnë ç’është e mundur për ta evituar këtë”, thuhet më tej në njoftimin e KE-së. Në fund të kësaj deklarate Këshilli i Evropës i kujton qeverisë shqiptare të drejtën e saj për të marrë vendime të pavarura, por shton se nuk duhet të harrojë detyrimet e këtij organizmi. “Për sa i përket mënyrës se si është vendosur delegacioni i Shqipërisë në PACE, grupi i raportuesve riafirmuan se sipas rregullave, secili nga 47 vendet anëtare ka të drejtën të marrë vendime të pavarura, gjithmonë duke mos harruar se duhet të respektojnë detyrimet e tyre në KE dhe të punojnë brenda rregullores së brendshme”, përfundon deklarata.

BE: Ligji i Dosjeve duhet të ndryshojë

Bashkimi Evropian është gati të asistojë Shqipërinë nëse ajo vendos të ndryshojë ligjin e Dosjeve. Deklaratën e ka bërë dje në Tiranë ambasadorja çeke, Marketa Fialkova në përfundim të një konvente me ish të përndjekurit politikë. “Ligji vlen, por unë personalisht do të imagjinoja dhe ndryshime të mundshme. Nëse Shqipëria vendos që të ndryshojë, Evropa do të sjellë ekspertët e duhur për të përgatitur ato ndryshime, që do të respektojnë ato standarde që kërkohen”, deklaroi ambasadorja ceke në prononcim për mediat. Çekia e cila mban edhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian është shprehur së fundi se ligji i Dosjeve duhet të ndryshojë, pasi nene të tij kanë përmbajtje antikushtetuese. Edhe gjatë prononcimit të djeshëm ajo nuk i detajoi nenet që bien ndesh me ligjin themeltar të shtetit, duke ia lënë këtë të drejtë pikërisht Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të nisë diskutimin e disa ankesave që janë depozituar. “Shqipëria ka një ligj për pastërtinë e figurave, i cili ka hyrë në fuqi tani. Ka disa kundërshtime nga komuniteti ndërkombëtar, nga të gjithë faktorët, që në ligj janë përfshirë disa nene antikushtetuese. Pas miratimit të ligjit, ai po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse Shqipëria e ka miratuar një ligj të tillë unë e kuptoj, sepse Çekia, e cila ka një ligj të njëjtë, por jo të ngjashëm, sigurisht që është e rëndësishme që duhet kujtuar e kaluara, të hapen arkivat, nëse ligji do të ishte korrekt, nuk do e gjykoja në mënyrë absolute atë”, theksoi më tej ambasadorja çeke. Megjithatë, pavarësisht drejtimit që do të marrë kjo çështje, ajo që duket e sigurt, e konfirmuar edhe nga diplomatja çeke është fakti që kjo çështje nuk do të ndikojë në integrimin në NATO. Ambasadorja çeke e cila ndodhet në krye të Trojkës së BE-së në Tiranë në këto gjashtë muaj, është bërë mjaft aktive ditët e fundit, teksa brenda një kohe të shkurtër ka pasur tre takime, dy prej të cilave me zv/kryeministrin Pollo dhe një me Kryeministrin Berisha. Por në të gjitha këto takime qëndrimi i qeverisë ka qenë i njëjtë dhe pa asnjë hap mbrapa. Kreu i qeverisë ka garantuar se ligji nuk do të përdoret për eliminimin e kundërshtarëve politikë, teksa është shprehur i hapur për ardhjen e ekspertëve çekë për monitorimin e zbatimit të këtij ligji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›