E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfeti, përgjimet zbuluan prokurorin

 

Etleva Delia

Një "kurth" i ngritur nga dy personat që i ofruan para në këmbim të uljes së dënimit të Besnik Brrakës, ka zbuluar edhe ryshfetin që kishte pranuar prokurori i Tiranës, Aleksandër Plepi. Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi, kushërinjtë e Besnik Brrakës, pasi kanë parë që prokurori nuk ka mbajtur premtimin, kanë vendosur të bëjnë kallëzim penal ndaj tij. Ndërkohë telefoni i njërit prej tyre është vënë në përgjim dhe gjatë bisedave që ai ka bërë me Plepin, janë zbuluar edhe aferat korruptive. Gjithashtu kanë qenë përgjimet telefonike që kanë zbuluar edhe personin e katërt të përfshirë në pazarin prej 50 mijë eurosh, që gjithashtu është lënë në arrest shtëpie. Ajo është motra e të dënuarit me 14 vjet burg, 52-vjeçarja Violeta Brraka. Burime nga policia bënë të ditur se pas zbardhjes së bisedave telefonike, nuk është vënë re të jetë përmendur emri i gjyqtares kryesuese që ka dhënë vendimin për Brrakën, Marsela Balili, e cila është bashkëshortja e prokurorit Plepi. Gjithsesi burimet sqaruan se roli i saj në gjithë këtë histori është kompetencë e KLD-së dhe pritet që të diskutohet edhe pozicioni i saj në mbledhjen e radhës të organit më të lartë të drejtësisë.
PERGJIMI
Pasi është dhënë vendimi i datës 12 janar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku Besnik Brraka është dënuar me 14 vjet burg dhe 300 mijë lekë gjobë, të afërmit e tij të zhgënjyer nga prokurori Aleksandër Plepi, të cilit i kishin premtuar 50 mijë euro për të ndërmjetësuar uljen e dënimit, kanë bërë kallëzim penal ndaj tij. Por përveç kësaj telefoni i njërit prej kushërinjve të Brrakës është vënë në përgjim. Burime nga policia bënë të ditur se gjatë bisedave nuk ka pasur kërcënime, por me dhjetëra herë është përmendur shuma e parave që kishte marrë prokurori. Ndërkohë që Plepi gjatë bisedave të tij kishte ngulur këmbë që ai deri diku kishte ndikuar në uljen e 4 viteve dënimi, ndryshe nga pretenca që kishte dhënë prokurori i çështjes. Gjatë bisedave telefonike është përmendur edhe emri i motrës së Brrakës, e cila i kishte dhënë paratë prokurorit të Tiranës. Sot katër personave të përfshirë në këtë skandal, prokurori Aleksandër Plepi, Violeta Brraka, motra e të dënuarit dhe dy kushërinjtë e tij, Arben Veliko e Panajot Dhiamandi do të njihen me masën e sigurisë në gjykatë. Burime nga Prokuroria bënë të ditur që mund të ketë një ndryshim të masës së sigurisë nga "arrest shtëpie" në "arrest me burg", por ende nuk është e sigurt kjo gjë.
NDERMJETESIMI
Prokurori i Tiranës, Aleksandër Plepi, ka pranuar jo pak, por 50  mijë euro për ulje dënimi nga Arben Veliko dhe Panajot Dhiamandi, kushërinjtë e Besnik Brrakës, i cili prej gati një muaji është dënuar me 14 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë. Ndërkohë burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se kanë qenë pikërisht kushërinjtë e Brrakës ata që kanë denoncuar veprimin e prokurorit, pasi është marrë vendimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pretenca për Brrakën ka qenë 18 vjet burg, ndërkohë që ai më 12 janar është dënuar vetëm me 4 vjet më pak dënimi që kërkonte organi i akuzës.

TE AKUZUAR

1. Aleksandër Plepi, 35 vjeç, prokuror në Prokurorinë e Tiranës

2. Arben Veliko, 42 vjeç, lindur e banues në Vlorë

3. Panajot Dhiamandi, 33 vjeç, lindur e banues në Vlorë

4. Violeta Brraka, 52 vjeçe, motra e të dënuarit

5. Besnik Brraka, i dënuar me 14 vjet burg e 300 mijë lekë gjobë për trafik droge

Të arrestuar

1. Pëllumb Jakupi
2. Angjelin Ujka
3. Agim Kashari
4. Arbri Jakupi

"Pirro" sekuestron dy kg heroinë në Lezhë, 4 në pranga
LEZHE- Katër persona në qeli, 2 kilogramë heroinë dhe 4 kilogramë përzierës të sekuestruar, si dhe zbulimi i një pistolete me silenciator, ky ka qenë bilanci i operacionit "Pirro", i realizuar në Lezhë nga Antikrimi i Organizuar. Një grup që merrej me trafikimin e drogave të forta është shkatërruar dje pas një hetimi gati dymujor. Në pranga kanë përfunduar Pëllumb Jakupi, Angjelin Ujka, Agim Kashari dhe Arbri Jakupi. Burime nga policia bënë të ditur se arrestimi i tyre u bë pasi në vendin quajtur Ishull-Shëngjin, Lezhë, në afërsi të rotondës, gjatë kontrollit të automjetit të markës "Mercedes Benz" me targë MA 2171 B, u gjendën të fshehura në pjesën e bagazhit të tij 4 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë. Gjithashtu në makinë u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri antizhurmuese, pistoletë "Berata". Ndërkohë të njëjtat burime bënë të ditur se hetimet vazhdojnë ende për të zbuluar nëse pjesë e këtij grupi mund të jenë edhe persona të tjerë. Mësohet se lënda narkotike dyshohet të jetë futur në vendin tonë nga Mali i Zi, në Shkodër e më pas do të vinte në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›