E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton në parim fletën e votimit për zgjedhjet 2009

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar në parim projektvendimin për miratimin e fletës së votimit për zgjedhjet e ardhshme. Në mbledhjen e djeshme anëtarët e komisionit qendror kanë vendosur se fleta e votimit e cila do të përdoret në zgjedhjet e 28 qershorit, do të ketë të njëjtat elemente sigurie si ajo e përdorur në zgjedhjet lokale të 2007-ës.
Fleta e votimit do të jetë 30 cm e gjerë dhe 42 cm e gjatë. Fleta do të ketë dy shtresa për të shmangur transparencën e saj dhe do të jetë e përbëre nga fibra karboni ulktraviolet.
Gjithashtu projektvendimi për fletën e votimit për zgjedhjet e 28 qershorit parashikon formën e shkrimit, madhësinë, ngjyrën dhe elemente të tjerë përbërës. Përsa i përket përcaktimit të subjekteve politike apo koalicioneve që do të shënohen në fletë, komisioni e shtyu vendimin për në mbledhjen e ardhshme. Gjithashtu KQZ miratoi po në ketë mbledhje modelet e tabelave të rezultateve dhe strategjinë e trajnimit të anëtarëve të komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta. Votat e zgjedhjeve të 28 qershorit do të jenë nën vëzhgimin e plotë të afro 800 kamerave regjistruese në mbarë vendin. Por më parë, KQZ-ja do të organizojë tenderin me kompani të interesuara që do të vënë në dispozicion kamerat, monitorët, regjistruesit etj. Në këtë mënyrë pika më e nxehtë dhe më e kontestuar e 18 viteve të fundit, ajo e numërimit të votave, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë një element të ri sigurie të lartë, për të cilën KQZ-ja pritet që shumë shpejt të japë zgjidhjen e duhur. Bazuar në nenin 94 të Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja ka për detyrë që të instalojë kamera regjistruese dhe monitorë të mëdhenj në ekranin e të cilëve do të shfaqet fleta e votimit para se ajo të vlerësohet se për cilën parti shkon vota. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, sqaroi se me nisjen e përgatitjeve të KQZ-së për procesin zgjedhor të qershorit, shumë shpejt anëtarët e këtij institucioni do të diskutojnë për realizimin e procesit të pajisjes me kamera dhe monitorë të qendrave të votimit. Olli sqaroi se për momentin nuk ka ende një faturë të saktë financiare për këtë detyrim të ri ligjor. Kjo, sepse më parë duhet të ngrihet një grup ekspertësh teknikë për këtë çështje, të cilët do të përpilojnë jo vetëm karakteristikat dhe specifikimet teknike, por dhe koston. Pas kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të organizojë tenderin me kompani të interesuara që do të vënë në dispozicion kamerat, monitorët, regjistruesit etj, sqaroi Olli

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›