KQZ miraton tabelat e rezultateve të Fierit, PS 8 mandate, PD 7 mandate dhe LSI 1 mandat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me shumicë votash vendimin për tabelat përfundimtare të rezultateve të Qarkut Fier për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit.
Sipas relacionit shoqërues të vendimit, tabelat përfundimtare mbështeten në tabelat përmbledhëse të rezultateve të sjella nga shtatë KZAZ-të e këtij Qarku. Shqyrtimi i këtij vendimi shkaktoi debate, pasi përfaqësues të PS-së kërkuan numërimin e 9 kutive të votimit të katër KZAZ-ve të Qarkut Fier, respektivisht të KZAZ-së me nr. 18, 19, 20 dhe 22.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, mbrojti idenë e numërimit të votave në KQZ për disa kuti votimi të qarkut të Fierit. Duke iu referuar vendimit të pak ditëve më parë të Komisionit për numërimin e 6 kutive të Fushë-Kuqes, të qarkut të Lezhës, Subashi u shpreh se kundërshtimi për të numëruar kutitë e Fierit në KQZ do të thotë se "komisioni po punon me dy standarde".
"Në mënyrë që KQZ të përllogarisë shpërndarjen e mandateve në zonën zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që kanë marrë subjektet në nivel zone zgjedhor, duhet të numërojë dhe fletët e votimit për 6 QV-të e Fierit. Në këtë rast KQZ po mban dy standarde", theksoi Subashi.
Ndërsa sipas kryetarit të Komisionit, Arben Ristani situata me kutitë e Lezhës nuk ishte e njëjtë me ato të Fierit. Ristani tha se mes dy rasteve ka ndryshim, pasi KZAZ-të e qarkut Fier kanë miratuar me vendim tabelën e rezultateve dhe nisur nga kjo, e vetmja procedurë për hapjen e kutive të votimit të kërkuar nga PS është zbatimi i nenit 123 të Kodit Zgjedhor, që do të thotë hartim i tabelës së qarkut dhe ankimin i vendimeve të KZAZ-ve.
Për votimet e 28 qershorit në qarkun e Fierit funksionuan 488 qendra votimi të grupuara në 7 KZAZ, ndërkohë që numri i zgjedhësve të regjistruar ishte 352.423.
Sipas rezultatit paraprak të KQZ-së të publikuar mbrëmjen e 3 korrikut, në këtë Qark koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" 8 mandate dhe LSI 1 mandat.
Deri tani KQZ ka miratuar tabelat përfundimtare të rezultateve për zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit për 8 Qarqe nga 12, respektivisht për qarqet e Dibrës, Durrësit, Gjirokastrës, Korçës, Kukësit, Beratit, Shkodrës dhe Fierit.
...