Meta: Koalicioni PD-LSI garanton një qeverisje të qendrueshme
Kreu i LSI-së deklaron gjatë Konventës Kombëtare të Jashtëzakonshme, ku po diskutohet vendimi për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike në 4 vitet e ardhshme-
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) ka mbledhur sot pasdite, në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, Konventën Kombëtare të Jashtëzakonshme për të diskutuar vendimin e kryesisë së LSI-së për të bashkëqeverisur me Partinë Demokratike në 4 vitet e ardhshme. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, duke hapur punimet e kësaj konvente argumentoi këtë vendim të shpallur prej tij pak ditë më parë. “Bashkëpunimi PS-LSI, sjell vetëm krizë, destabilitet dhe ne nuk mund të provokojmë zgjedhje të parakohshme", tha z. Meta duke iu referuar Partisë Socialiste, një ish-aleate e LSI-së, që sipas rezultateve paraprake të KQZ-së ka fituar 65 mandate në zgjedhjet e 28 qershorit. Ai solli në vëmendje përpjekjet e forcës që drejton për të vendosur bashkëpunimin e ndërprerë nga Edi Rama në vitin 2007, pasi fitoi mandatin e tretë në krye të bashkisë së Tiranës. “Ju i dini shumë mirë të gjitha iniciativat publike dhe jo publike të bëra në këtë drejtim, të cilat janë refuzuar në mënyrë arrogante nga Edi Rama”, tha Meta.
Ai akuzoi Edi Ramën për operacion mafioz në kutitë e votimit në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa nënvizoi se “Edi Rama ka dashur të eleminojë forcën politike që drejton”. "Pse kishte frikë Edi Rama që ne të kishim anëtarin tonë në Komisionin e Qendrave të Votimit, anëtarin tonë në vendin e numërimit të votave, vetëm e vetëm që ne të mos kishim syrin tonë atje ku votuan qytetarët shqiptarë”, iu drejtua z. Meta pjesëmarrësve në këtë konventë. Analiza për gjithë atë që ndodhi në zgjedhjet e 28 qershorit do të bëhët në forumet dhe strukturat e LSI-së në muajt në vijim, por siç cilësoi z. Meta, "Edi Rama duhet të largohet pas masakrës elektorale që organizoi në zgjedhjet e 28 qershorit". Duke folur për vendimin mbi bashkëpunimin PD-LSI në 4 vitet e ardhshme, z. Meta theksoi se “ne jemi sot një vend anëtar në NATO, jemi vend që duam të hyjmë në BE dhe jemi Lëvizja Socialisë për Integrim dhe jo për izolim”.
Vendimi që duhet të marrim sot, vijoi ai, është i vështirë për të gjithë, por nuk shikoj një zgjidhje tjetër. “Ne jemi një faktor politik që duhet të japim një mesazh pjekurie për politikën shqiptare, një mesazh se LSI është në funksion të integrimit në BE”, theksoi ai. Kreu i LSI-së solli në vëmendje ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, vitin e kaluar, me konsensus të PS-së dhe PD-së, ndryshime që përfshin dhe Kodin e ri Zgjedhor. “Pse qenka e moralshme kur PS bënë bashkëpunim me PD-në në kurriz të Kushtetutës dhe pse është e pamoralshme që të bësh një marrëveshje të hapur dhe transparente në funksion të integrimit të vendit”, tha ai. Ne, vuri në dukje Meta, nuk ishim hartuesit e Kodit të ri Zgjedhor, që u aplikua në 28 qershor. “Në fund të fundit ky kod parashikon koalicione dhe më i frytshmi është ai PD-LSI, sepse garanton një qeverisje të qëndrueshme, por edhe një opozitë të qendrueshme. Një koalicion PD-PS do të asfiksonte opozitën”, tha z. Meta duke iu referuar LSI-së që në zgjedhjet e 28 qershorit, sipas rezultateve paraprake, ka marrë katër mandate. Prandaj, vijoi kreu i LSI-së, unë besoj se rruga ku duhet të ecim është rruga e zgjidhjes dhe jo e krizës, rruga e stabilitetit dhe jo destabilitetit, rruga e integrimit evropian dhe liberalizmit të vizave dhe jo rruga e izolimit. Z. Meta e cilësoi forcën që drejton, si një forcë që gjithmonë ka sjell risi në politikën shqiptare dhe që i ka shpërbyer demokracisë, zhvillimit të vendit. “Jemi në prag të një risie të jashtëzakonshme”, tha ai duke iu referuar vendimit për koalicionin PD-LSI në qeverisjen e 4 viteve të ardhshme. Aktualisht (ora 19:00 e së martës) Konventa po vazhdon me fjalën e anëtarëve të Kryesisë së LSI-së të cilët kanë vlerësuar koalicionin me PD-në për bashkëqeverisje në 4 vitet e ardhshme. Të shtunën e kaluar, kreu i LSI-së, Ilir Meta, iu përgjigj pozitivisht ftesës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha, njëkohësisht kryeministër i vendit për të bashkëqeverisur në katër vitet e ardhshme. “Pranoj me përgjegjësi historike ftesën e Kryeministrit Berisha, për të filluar negociatat me PD-në për koalicionin e ri qeverisës”, u shpreh z. Meta. Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, koalicioni "Aleanca e ndryshimit", i drejtuar nga PD ka fituar 71 mandate në zgjedhjet e 28 qershorit, "Bashkimi për ndryshim", i drejtuar nga PS, 65 mandate dhe "Aleanca socialiste për integrim", 4 mandate.
...