E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ ndalon 2 reklamat për Bashën e Berishën: S'kanë autor

SHKRUAN: Fejzi Braushi 15-04-2011 10:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të ndërhyjë dhe të ndërpresë transmetimin e dy reklamave negativiste “Kurrë më” dhe “Kush është Luli” të Partisë Socialiste, gjatë kohës së fushatës zgjedhore. Ndërkohë që televizionet që i kanë transmetuar ato kanë shpëtuar nga gjobat disamilionëshe të propozuara nga Bordi i Monitorimit të Medias (BMM), pasi KQZ është tërhequr në momentet e fundit nga një vendimmarrje e tillë. Nga ana tjetër, KQZ ka miratuar propozimin tjetër të Bordit për të kompensuar me kohë televizive ato subjekte politike të cilat gjatë javës së parë të fushatës kanë qenë më pak prezente në ekranet e operatorëve televizivë, si gjatë edicioneve të lajmeve ashtu edhe gjatë emisioneve televizive.

Reklamat

Bordi i Monitorimit të Medias, i kompozuar në mënyrë përfundimtare me të gjithë anëtarët vetëm ditën e djeshme, ka mundur të paraqesë para KQZ-së raportin e parë të monitorimit të mediave vizive për transmetimet politike në kuadër të fushatës zgjedhore. Por, ndryshe nga sa pritej, anëtarët e bordit dhe më pas edhe gjithë anëtarët e KQZ-së kanë qenë dakord për përmbajtjen e raportit përsa i përket kohëve të matura për kronikat e lajmeve apo emisioneve politike për zgjedhjet vendore të 8 Majit. Ajo që ka ndarë anëtarët e këtij bordi, por që më pas ka përfshirë në debat edhe gjithë anëtarët e KQZ-së, si dhe përfaqësuesit e partive politike, ka qenë propozimi i Bordit për të gjobitur katër televizionet: Top Channel, Vizion Plus, News 24 dhe Ora News me nga 20 dhe 35 milionë lekë të vjetra secilin, për transmetim të reklamës negativiste të Partisë Socialiste me titullin “Kurrë më”. Sipas shumicës së anëtarëve të djathtë të këtij bordi, reklama që flet në mënyrë negative për qeverisjen aktuale, duke evidentuar fenomene të tilla si papunësia, korrupsioni etj., nuk respekton kriteret ligjore dhe se në të nuk duket se kush është porositësi apo subjekti që e ka realizuar. Për rrjedhojë, kreu i këtij Bordi i ka propozuar KQZ-së që të miratojë gjobat në masën e 20 milionëve lekë të vjetër për “Vizion Plus”, “News24” dhe “Ora News” dhe 35 milionë lekëve për “Top Channel”. Por qëndrim krejt të kundërt kanë mbajtur përfaqësuesit e majtë të bordit, të cilët kanë argumentuar se gjoba është e pa mundur për t’u vendosur, sepse operatorët televizivë nuk janë lajmëruar për shkeljen e ligjit për reklamën në fjalë. Por, sipas Çollakut, Bordi i ka lajmëruar këto subjekte në datën 11 prill, ndërkohë që ato kanë vijuar dhe më pas ta transmetojnë atë.

Debati

Pas Bordit, debati ka kaluar në tryezën e anëtarëve të KQZ-së dhe atë të përfaqësuesve të partive politike pranë këtij institucioni. Sipas Gjonçajt, të PS, argumentet e sjella nga BMM nuk qëndrojnë, sepse reklama “Kurrë më” ka në pamjet e saj edhe logon e PS-së, e cila shfaqet për rreth 3-4 sekonda. Por një gjë e tillë, sipas përfaqësuesve të djathtë, nuk mund të ketë vlerë, pasi logoja për të cilën foli Gjonçaj nuk ishte e evidentueshme me sy të lirë. Për t’i dhënë fund këtij debati, Subashi ka kërkuar që para se ky komision të shprehej me vendimmarrje, të mund të administronte në cilësinë e provës reklamën objekt debati, kërkesë kjo që është hedhur poshtë në parim nga anëtarë të djathtë, të cilët kanë theksuar se ata nuk janë ekspertë për të vlerësuar logon dhe reklamën dhe se i besonin vlerësimit që kishte bërë Bordi. Kjo ka nxehur situatën, çka ka sjellë dhe largimin demonstrativ të nënkryetares Subashi nga tavolina. Për të qetësuar situatën, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka ndërprerë për pak minuta mbledhjen, ku duket se dhe është gjetur mirëkuptimi që të hiqej dorë nga gjobat e propozuara. Me rikthimin e të gjithë anëtarëve në tryezë (Pandeli Varfi nuk mori pjesë dje në mbledhje), ka qenë Klement Zguri ai që ka propozuar fillimisht që të hiqej dorë nga masa me gjobë, çka ka gjetur më pas dhe mbështetjen e Ristanit. Por ndërsa është tërhequr nga gjoba, KQZ-ja ka miratuar vetëm me votat e të djathtëve vendimin për të detyruar televizionet që të mos transmetojnë më reklamat “Kurrë më”, si dhe reklamën tjetër negativiste të PS-së “Kush është Luli”. Nga ana tjetër, KQZ-ja nuk ka marrë parasysh propozimin e socialistëve për të detyruar Ministrinë e Brendshme që të mos transmetojë më reklamën për liberalizimin e vizave, si një spot që favorizon Lulëzim Bashën, kandidatin e djathtë për Bashkinë e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›