KQZ ndan fondin 165 milionë lekë, ja sa marrin partitë politike
Formula e shpërndarjes për partitë ndahet 50%, në bazë të numrit të mandateve, që ka selia forcë politike dhe 50 % në bazë të numrit të votave që ka marrë secila prej forcave parlamentare
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, megjithëse në vonesë, dhe kjo jo për faj të tij, do të shpërndajë sot fondin prej 65 milionë lekësh të rinj që Buxheti i Shtetit ka vënë në dispozicion të forcave politike, që garojnë për në Kuvendin e ardhshëm. Menjëherë sapo qeveria ka zbardhur vendimin e saj për lëvrimin e fondit të përcaktuar për subjektet zgjedhore, zyra e financës së KQZ-së ka bërë gati vendimin që pritet të miratohet gjatë seancës së sotme,. duke ndarë fondet për secilën prej forcave që, në bazë të ligjit, kanë të drejtë të përfitojnë nga fondi publik. Për shkak të sistemit të "Dushkut" që u përdor gjerësisht në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, ndarja e fondit publik ka favorizuar ndjeshëm disa prej forcave të vogla, të cilat pavarësisht peshës reale që kanë në elektorat, kanë marrë një pjesë të konsiderueshme të parave, duke rivalizuar edhe dy forcat e mëdha politike.
Ndarja sipas mandateve
Realisht, administratës që merret me financat në KQZ i është dashur vetëm një përllogaritje e thjeshtë për të ndarë fondin publik për partitë politike, pasi formula që do të përdorej ishte përcaktuar fare qartë në Kodin Zgjedhor dhe më pas në udhëzimin e dalë posaçërisht për këtë çështje. Në bazë të saj, 50 % e shumës ndahet në bazë të numrit të mandateve që ka secila forcë politike e përfaqësuar në Kuvend dhe 50 % e shumës së mbetur ndahet në bazë të numrit të votave që ka marrë secila prej forcave parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin aktual me më shumë se një deputet.
Nga zbatimi i kësaj formule rezulton se nga 50 përqindëshi i parë, që ndahet në bazë të mandateve, favorizohen dy forcat e mëdha që kanë marrë dhe numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, respektivisht, PD-ja 56 mandate dhe PS-ja 42. Të gjitha forcave që u lind e drejta për të përfituar nga kjo pjesë kanë përfituar edhe një pjesë të fondit që ka mbetur për shkak të mos regjistrimit më si subjekt zgjedhor të Partisë Demokrate e Re. Duke bërë llogaritë për secilën prej tyre në bazë të mandateve, rezulton se PD-ja do të përfitojë 13.4 milionë lekë, PS-ja 10.1 milionë, PR-ja 2.6 milionë, e kështu me radhë. Nga ky fond përfiton edhe Partia Bashkimi Liberal Demokrat, e cila në legjislaturën aktuale përfaqësohet vetëm me një mandat dhe, për rrjedhojë, ka marrë vetëm 240 mijë lekë.
Ndarja sipas votave
E ndërsa për ndarjen e pjesës së parë të fondit ndikimi i sistemit të "Dushkut" ishte fare pak i ndjeshëm, në ndarjen e dytë, atë në bazë të numrit të votave, loja politike e zhvilluar në zgjedhjet e 2005-ës ka dhënë një efekt konsiderueshëm të ndjeshëm. Kështu, falë zemërgjerësisë që përdorën në ato zgjedhje dy forcat e mëdha, pothuajse të gjitha partitë e vogla që në atë kohë dolën në koalicione, kanë marrë një numër të lartë votash, që nuk i përgjigjet realitetit të mbështetjes që ato kanë në popull.
Si rrjedhojë, ato kanë përfituar edhe pjesën më të madhe të fondit që ndahet në bazë të votave të marra prej secilit subjekt zgjedhor. Ato kanë përfituar jo vetëm nga ky truk zgjedhor, por edhe nga formula e përcaktuar në kod, pasi llogaritja nuk bëhet në totalin e votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e shkuara parlamentare, por bëhet në bazë të numrit të votave që kanë marrë dhjetë partitë parlamentare që u lind e drejta të përfitojnë nga kjo pjesë e fondit.
Si rrjedhojë, PR-ja dhe PSD-ja përfitojnë edhe pjesën më të madhe të këtij fondi, pasi këto dy forca kishin marrë dhe numrin më të madh të votave, duke lënë pas PS-në dhe PD-në. Në bazë të projektvendimit të KQZ-së, PR-ja do të marrë 8 milionë lekë nga pjesa e dytë e fondit, ndërsa PSD-ja 5.1 milionë. Ndërsa PS-ja dhe PD-ja marrin respektivisht nga 3.5 dhe 3 milionë lekë. Në total, duke llogaritur shumat e ndara në bazë të të dy formulave, rezulton se PD-ja merr më shumë lekë se gjithë forcat e tjera, plot 16.5 milionë lekë dhe ndiqet nga PS-ja, me 13.6 milionë, PR-ja 10.6 milionë, PSD-ja me 6.8 milionë lekë, e kështu me radhë.
Të gjitha forcat mund të përfitojnë edhe një shtesë në fondet e tyre respektive, në rast se sot, Kolegji Zgjedhor do të miratojë kërkesën e PS-së për çregjistrimin nga lista e forcave garuese, Partinë Agrare Ambientaliste, e cila në bazë të projektvendimit të KQZ-së merr plot 3.6 milionë lekë të rinj.
Formula e shpërndarjes
50 % e shumës ndahet në bazë të numrit të mandateve që ka selia forcë politike e përfaqësuar në Kuvend
50 % e shumës ndahet në bazë të numrit të votave që ka marrë secila prej forcave parlamentare që përfaqësohen në Kuvendin aktual me më shumë se një deputet
Tabela e detajuar
NR.
EMËRTIMI I SUBJEKTIT ZGJEDHOR
NDARJA E 50% SIPAS MANDATEVE
(LEKE)
NDARJA E 50% SIPAS VOTAVE
(LEKE)
TOTALI
1
Partia Demokratike
13.481.481
3.091.861
16.573.342
2
Partia Socialiste e Shqipërisë
10.111.111
3.582.093
13.693.204
3
Partia Republikane
2.648.148
8.046.992
10.695.140
4
Partia Socialdemokrate
1.685.185
5.136.667
6.821.852
5
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
1.203.704
3.386.956
3.386.956
6
Partia Agrare Ambientaliste
962.963
2.644.556
3.607.519
7
Partia Aleanca Demokratike
722.222
1.920.479
2.642.701
8
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
481.481
1.664.092
2.145.573
9
Partia Demokristiane
481.481
1.315.153
1.796.634
10
Partia Demokracia Sociale
481.481
1.711.151
2.192.632
11
Partia Bashkimi Liberal Demokrat
240.743
240.743