Uidhers: Probleme me kartat e identitetit
Ambasadori amerikan u shpreh se qeveria duhet të sigurohet që, njerëzve të cilëve u është dhënë e drejta për të marrë një kartë, ta kenë atë në duar. Ende i paqartë numri i qytetarëve pa pasaportë
"Njerëzit pa kartë dhe pasaportë, janë më shumë në rrezik për t'ju mohuar mundësia për të votuar".
TIRANË- Vetëm pak ditë para mbylljes së procesit të aplikimit për kartat e identitetit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të shfrytëzojnë këtë mundësi për t'u regjistruar dhe për të votuar. I pyetur nga përfaqësues të medias për çështjen më të debatueshme sot, atë të kartave të identitetit, ambasadori amerikan ka vënë në dukje disa elementë të rëndësishëm, pa lënë mënjanë edhe problemet që po shoqërohen me pajisjen e qytetarëve më karta identiteti. "Lejomëni të filloj duke thënë se e shoh inkurajues faktin që 1.2 milionë shqiptarë kanë aplikuar për kartat e identitetit.
Po përdor shifra të përafërta, sepse këto shifra, me të drejtë, ndryshojnë pothuajse çdo ditë; pra përafërsisht 1.2 milionë, për aq kohë sa po flasim, ndërkohë që ne shpresojmë se ky numër do të rritet në ditët në vijim, madje do të rritet edhe me shpejtësi të madhe",- tha Uidhers. Por, përtej këtij zhvillimi pozitiv, ambasadori amerikan citoi të rëndësishme që të trajtohen edhe disa elementë të tjerë. "Së pari, numri i njerëzve që kanë marrë kartat e identifikimit është shumë herë më prapa në krahasim me ata që kanë aplikuar.
Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që njerëzit që kanë aplikuar dhe që u është dhënë e drejta për të votuar duhet të sigurohen që t'i marrin këto karta, duhet të shkojnë dhe t'i tërheqin ato",- tha Uidhers. Për këtë arsye, ambasadori amerikan shtoi se është shumë e rëndësishme që autoritetet qeveritare të bëjnë gjithçka që është e mundur për të inkurajuar njerëzit që të marrin këto karta. "Qeveria duhet të sigurohet se, njerëzit që u është dhënë e drejta për të marrë një kartë, ta kenë atë në duar", -shtoi ai. Nisur nga ekspertiza e disa zyrtarëve të ambasadës në disa rajone të Shqipërisë, ambasadori amerikan theksoi se përshtypja e përgjithshme është që gjërat po funksionojnë, por ka edhe disa probleme teknike në disa zona, sidomos në zonat rurale, të cilat duhen zgjidhur menjëherë.
Por, elementi që ka ngjallur më shumë debate lidhet me njerëzit që nuk kanë një kartë identiteti, por as pasaportë. "Këto janë njerëzit që janë më shumë në rrezik për t'u mohuar mundësia për të votuar. Ky është një shqetësim me rëndësi kritike, sepse një nga kërkesat kryesore të standardeve ndërkombëtare, që zgjedhjet të quhen të lira dhe të ndershme, është e drejta universale e qytetarëve për të votuar, pra kushdo që dëshiron të votojë, duhet ta ketë mundësinë për të votuar dhe asnjë pengesë nuk duhet të ndalojë këtë person nga kjo e drejtë", - tha ai. Uidhers shtoi se, "problemi që unë shoh është se është ende e paqartë se sa njerëz mund të futen në këtë kategori, bazuar në informacionin që na është dhënë.
Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë qartësi në këtë situatë. Mund të fillohet duke ditur se sa është numri i qytetarëve për të cilët po flasim dhe, si rrjedhim, të inkurajohen njerëzit që të votojnë, të sigurohet se ata kanë mundësinë e votës, të sigurohet se ata mund të identifikohen nga qendrat administrative, në mënyrë që këto çështje të zgjidhen dhe Shqipëria të ketë mundësinë të ofrojë standardin universal të së drejtës për të votuar, e cila është shumë e rëndësishme për këto zgjedhje". Informacioni për këtë çështje, sipas ambasadorit, duhet t'i ofrohet KQZ-së, por edhe trupës vendase dhe ndërkombëtare që kanë interes legjitim në këtë proces.
"Shpresoj që kjo të trajtohet si një çështje që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, që këto çështje të zgjidhen si për sa i përket natyrës logjistike, ashtu edhe për sa i përket debatit politik të lidhur me të, në mënyrë që procesi i regjistrimit të votuesve të vazhdojë me shpejtësi dhe në mënyrë të barabartë",- tha ai.