E Shtunë, 31 Tetor 2026

Organizoi mitingun e PS-së, pezullohet nga puna

FIER - Mësuesi, Murat Zazaj, që punon në shkollën 9-vjeçare në fshatin Ruzhdie, është pezulluar dje nga puna sepse organizoi një miting të Partisë Socialiste. Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i shtabit elektoral të PS-së, Elsaed Rexha. Sipas tij, dy ditë
më parë, kreu i shtabit elektoral të PS-së për Qarkun Fier, Gramoz Ruçi, i shoqëruar nga kandidatët për deputetë, Armando Subashi, Pajtim Isufi dhe Amarildo Xhindi, kanë shkuar në fshatin Ruzhdie për të kryer një takim elektoral me anëtarë, simpatizantë e banorë të këtij fshati. Takimin e ka organizuar mësuesi Murat Zazaj, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së së komunës Ruzhdie.


Por, sipas zëdhënësit të shtabit elektoral, menjëherë pas marrjes vesh të lajmit, është përpiluar edhe aktpezullimi nga puna i Zazajt. Mëngjesin e së premtes, Zazajt i është komunikuar pezullimi nga puna për pjesëmarrje në organizimin e këtij tubimi. Zëdhënësi i shtabit elektoral i PS-së pohoi se kjo nuk është hera e parë që ushtrohen presione, ndërkohe që hiqen mësues nga shkolla brenda orarit mësimor për të shkuar në mitingjet që organizon PD-ja dhe nuk merret asnjë masë. Rasti i fundit ishte tubimi që organizoi Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në Komunën Mbrostar, takim për të cilin u mbyll edhe një shkollë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›