Lëvizja e lirë, Shqipëria nuk favorizohet
TIRANË- Përpos propagandës së vazhdueshme të qeverisë se raporti i fundit i Komisionit Europian flet për realizimin e reformave në vend, e për pasojë edhe lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptare, komisioneri për drejtësi dhe punë të brendshme, Zhak Barrot, sjell një panoramë krejt ndryshe për vendin tonë. Në një deklarim për mediat, Barrot nuk e ka përmendur fare Shqipërinë ndër vendet që do të propozoheshin për heqjen e regjimit të vizave, ndërkohë që Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia janë vendet e favorizuara.
Kështu, Komisioni Evropian do të propozojë që deri në fund të këtij viti të hiqet regjimi i vizave Shengen për shtetasit e Maqedonisë, të Serbisë dhe të Malit të Zi. Sipas komisionerit, Zhak Barrot, tre vendet në fjalë mund të përfitojnë nga heqja e regjimit të vizave, ndërsa me këtë propozim duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Ndërkohë, nuk dihet ende se përse Barrot e ka cilësuar Maqedoninë në deklaratën e tij si Maqedonia e Veriut. "Ajo që mund të them është se sot ne kemi ndjenjën se Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, kanë bërë me të vërtetë përpjekje të mëdha.
Pra, ne mendojmë se duhet t'i marrim parasysh këto përpjekje. Nuk është ende e sigurt, por ka një probabilitet që ne të propozojmë që për këto tre vende të realizohet në fund të vitit, por ky është thjesht një propozim dhe insistoj, pasi në këtë fazë nuk mund ta them me sigurinë e plotë. Por kjo gjë mund të bëhet, pra, në rast se vendet anëtare bien dakord".