Rama: Unë, Kryeministër për zgjidhjen e problemeve
Kryetari i Partisë Socialistë prezantoi 14 kandidatët e Qarkut të Elbasanit
ELBASAN - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, çeli zyrtarisht fushatën në Elbasan, duke prezantuar 14 kandidatët e këtij qarku. Gjatë fjalës së tij, kryetari i opozitës është ndalur tek kërkesa e vazhdueshme e Kryeministrit Sali Berisha, që Rama të kryesojë listën e deputetëve. "Berisha më kërkon me insistim që unë ta lë Bashkinë e Tiranës dhe të hyj në krye të listës së deputetëve, siç ka bërë ai vetë, për t'i siguruar vetes një karrige në Parlament pas 28 qershorit, por unë vendin e parë në listën e deputetëve të Tiranës ia kam lënë Vasilika Hysit, një gruaje simbol i emancipimit dhe angazhimit qytetar në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të njeriut, një pedagoge të shquar dhe shembullore që do të çojë në Parlament, bashkë me gratë dhe vajzat e tjera, politikën e re të ndryshimit për gratë dhe njerëzit e pambrojtur.
Ky është dallimi i madh mes dy botëve që përfaqësojmë Sali Berisha dhe unë. Për mua, politika nuk është luftë për pushtet personal, siç është për Sali Berishën dhe as mjet për të përfituar duke thënë gjëra që nuk bëj dhe bërë gjëra që nuk thuhen, siç bën Sali Berisha", - tha ai. Gjithashtu, Rama ka ironizuar fjalët e Berishës për kolonën zanore të fushatës. "Disa si Sali Berisha dhe si të tjerët që janë provuar dhe stërprovuar dhe sot, ua kërkojnë përsëri votën shqiptarëve, por që as dinë, as duan dhe as munden të bëjnë ndonjë gjë më shumë se në këto 18 vjet. Vota për ta është një votë për një tjetër qeveri të krijuar për të njëjtat interesa mes të njëjtave oborre familjare dhe klanore, për të bërë edhe katër vjet të tjera të njëjtat pazare me të njëjtat rezultate për njerëzit që paguajnë për të njëjtën lojë 18 vjet në kurrizin e tyre.
Unë nuk do të jem thjesht Kryeministri juaj, për t'ju treguar se duhet të jeni të lumtur me Shqipërinë që e blen një euro familja ime, klientët e pushtetit të saj dhe shërbëtorët e qeverisë time, siç bën Sali Berisha. Unë do të jem i thjeshtë për t'u dhënë zgjidhje të reja problemeve tona të vjetra. Sali Berisha tha se thirrjes sonë "Çohu", i përgjigjet me fjalën se është në këmbë, por kënga jonë nuk është për Saliun që rri në këmbë, ngaqë kalin e pushtetit e ka lidhur me trungun e familjes, por për shqiptarët e zakonshëm", - u shpreh kreu socialist. Në fund të mitingut, Rama ka kënduar bashkë me grupin "West Side Family", këngën e modifikuar të "Tironës" dhe kolonën zanore të fushatës.