KQZ ndryshon përmasat e fletës së votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të ndryshojë formatin e fletës së votimit. Përfshirja e një numri të madh subjektesh politike në koalicionet për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ka nxitur Komisionin Qendror Zgjedhor që të ndryshojë përmasat e fletës së votimit. Një fakt të tillë e ka bërë prezent vetë kryetari i KQZ-së, Arben Ristani. Gjatë mbledhjes së djeshme, kryekomisioneri theksoi se “KQZ e sheh të nevojshme që me shtimin e numrit të partive politike në zgjedhjet e 28 qershorit, duhet të rimerret në shqyrtim vendimi për përmasat e fletës së votimit”. “Duhet të rishqyrtojmë formatet e fletës së votimit, për shkak të numrit të madh të subjekteve zgjedhore”, theksoi Ristani. Vendimi i KQZ-së, i datës 5 mars 2009, parashikon që fleta e votimit të ketë gjerësi 300 milimetra dhe gjatësi 420 milimetra. Ndërsa pritet të shtohet me 1.5 cm. Ky ndryshim pritet të pasohet edhe me një kosto të veçantë, si dhe të prishë formatin e fletës së votimit, e cila ishte pothuajse sa një letër A3.