E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Koha për Veprim, Koha për Rininë

 

Lëvizja Rinore për Integrim zhvilloi një takim masiv në Amfiteatrin në Kodrat e Liqenit në Tiranë. Mbi 2 mijë të rinj e të reja kryeqytetas, garantuan në këtë takim mbështetjen e tyre për LSI-në në 28 qershor. Duke marrë fjalën kreu i LSI u shpreh se Koha për Veprim, në radhë të parë, është Koha për Rininë. Duke vlerësuar forumin rinor të LSI-së Meta tha se ky forum ka përfaqësuesit e tij në listat e kandidatëve. “Ku i kanë të rinjtë e forumeve të tyre si kandidatë për deputetë? Asgjëkund nuk i kanë. Ndërsa një ndër tre kandidatët kryesorë të LSI është kryetarja e LRI, Erisa Xhixho”, tha Meta. Kreu i LSI-së u shpreh se parlamentit të Fazlliçëve dhe të Megadushkut, po i vjen fundi. “Ndaj koalicioni ynë është në rrugën e sigurt të fitores dhe të jeni të sigurt se në 29 qershor fitorja i buzëqesh LSI-së, i buzëqesh koalicionit tonë. Të jeni të sigurt se me vendosmërinë tonë, me programin tonë, me vizionin tonë, me shpirtin tonë idealist, me fuqinë tonë do ta motivojmë elektoratin progresist dhe opozitar për të mundur Sali Berishën në 28 qershor”, tha Meta. Kreu i LSI-së theksoi se intrigantët janë të pashpresë për të përçarë të majtën dhe forcat progresiste, sepse janë burracakë, sepse nuk kanë asnjë vlerë njerëzore, morale politike dhe shoqërore. “Ora e takimit me historinë po vjen, tha Meta, dhe ne do të mblidhemi këtu për të festuar fitoren në mesnatën e 28 qershorit, pikërisht në Tiranë, në Durrës, ku nesër do të hapim fushatën elektorale, në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›