Kandidatët që sfidojnë Kushtetutën
Aristir Lumezi
Kandidatët për deputetë sfidojnë Kushtetutën. Të gjithë ata kandidatë për deputetët që preken nga neni 69 i Kushtetutës, duhet të jepnin dorëheqjen nga funksioni i prefektit, gjyqtarit, prokurorit, kryetarit të komunës dhe bashkisë, por dhe funksionarit të lartë të administratës shtetërore duhet të ishin larguar nga postet e tyre. Janë plot 11 funksionarë, kryesisht në listën e Partisë Demokratike të cilët nga momenti që zyrtarizohet lista e kandidatëve duhet t’i ishin nënshtruar ligjit të kushtetutës. Deri tani kanë dhënë dorëheqjen prefektja e Korçës,
Elfrida Zefi, Fatmir Hoxha, prokuror i Shkodrës dhe Mesila Doda kryetare i KKRT-së. Kostitucionalistë të njohur si Aurela Anastasi dhe Njazi Jaho shprehen se duhej të ishte zbatuar neni 69 i Kushtetutës nga kandidatët për deputetë. “Të gjithë ata poste që janë përcaktuar në kushtetutë si të papajtueshëm me mandatin e deputetit, duhet të japin dorëheqjen që nga momenti i zyrtarizimit të listës së kandidatëve. Ata bëhen në këtë mënyrë subjekte kandiduese”, u shpreh Anastasi. Sipas kostitucionalistes së njohur, nëse një e tillë nuk bëhet, atëherë edhe nëse fitojnë, mandati i tyre është i pavlefshëm. “Ata që do fitojnë mandatin pa dhënë dorëheqjen duhen cilësuar si mandati i pavlefshëm. Ata mund të fitojnë zgjedhjet, por jo mandatin. Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet t’i kontrollojë mandatet, por do të jetë komisioni i Mandateve të Kuvendit, i cili do të bëjë s’kualifikimin e tyre”, u shpreh për “Panorama” zonja Anastasi. Neni 69 i Kushtetutës, përcakton qartë se “nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra gjyqtarët, prokurorët; ushtarakët e shërbimit aktiv; punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar; përfaqësuesit diplomatikë; kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre; kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve; Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Gjykata Kushtetuese në një vendim të saj ka hequr çdo pretendim të kryetarëve të bashkive dhe komunave duke i përjashtuar ata nga kandidimi për deputet nëse nuk heqin dorë nga mandati i tyre si i zgjedhur vendor. Edhe për kategoritë e tjera përcaktimi kushtetues është mëse e qartë. Juristi i njohur Njazi Jaho shprehet se duhet bërë një përcaktim i qartë se cili post përfshihet në përcaktimin kushtetues të “funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji”. Sipas tij, “në kushtetutë nuk përcaktohen pozicionet e funksionarit të lartë të administratës shtetërore për të bërë një referim mes tyre dhe pozicioneve politike në këtë administratë, duke sjellë si shembull postin e zv/ministrit, të cilët në listën e PD-së janë rreth 7 të tillë si kandidatë. Pritet që në ditët në vijim të gjithë kandidatët pozicionet e të cilëve bien ndesh me kushtetutën, të japin dorëheqjen e tyre nga këto funksione.
Kandidatët që duhet të japin dorëheqje nga funksionet
Kandidatët që duhet të japin dorëheqje nga funksionet
Spiro Ksera, prefekt i Gjirokastrës, PD
Thoma Rumniçi prefekt i Berat, PD
Gert Bogdani kreu i njësisë 10 Tiranë, PD
Bedri Hoxha kryetari i Bashkisë Klos, PD
Lefter Maliqi kryetar Komunës Otllak, PD
Altin Ndroqi anëtar i KKRT-së, PD
Daut Sula, prefekt i Lushnjës, PD
Ndue Paluca, kryetar bashkie Fushë Arrëz, PD
Besnik Dushaj, kryetar i komunës Fierzë, PD
Ermonela Velaj, prokurore Berat, PS
Armando Subashi, gjyqtar, anëtar i KLD-së, PS
Kush ka dhënë dorëheqjen:
Mesila Doda, kryetar i KKRT-së, PD
Elfrida Zefi, prefekt i Korçës, PD
Fatmir Hoxha, prokuror në Shkodër, PS
Neni 69 i Kushtetutës
1. Nuk mund të kandidojnë e as të zgjidhen deputetë, pa hequr dorë nga detyra:
a) gjyqtarët, prokurorët;
b) ushtarakët e shërbimit aktiv;
c) punonjësit e policisë dhe të sigurimit kombëtar;
ç) përfaqësuesit diplomatikë;
d) kryetarët e bashkive dhe të komunave, si dhe prefektët në vendet ku kryejnë detyrat e tyre;
dh) kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve;
e) Presidenti i Republikës dhe funksionarët e lartë të administratës shtetërore të parashikuar nga ligji.
2. Mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni është i pavlefshëm.