Poni, letër PS: Aplikuan 450 mijë pa pasaportë
Listat e shtetasve që kanë aplikuar për pasaportë kanë qenë dje objekti i replikave në distancë mes selisë rozë dhe Ministrisë së Brendshme. Sekretari socialist, Kastriot Islami, i kërkoi ministrit Nishani që brenda 31 majit t’i dorëzojë të gjitha listat e shtetasve që kanë aplikuar për karta si dhe të atyre që kanë marrë karta, por dhe ata që nuk kanë aplikuar dhe nuk kanë pasaportë. Ai akuzoi dje qeverinë për “paaftësi dhe mungesë vullneti dhe synim të qartë të Kryeministrit Berisha për të transformuar rezultatin e zgjedhjeve përmes lënies pa letërnjoftim të një numri të konsiderueshëm zgjedhësish prezentë në listat e votimit”. Ministria e Brendshme i është përgjigjur dje letrës së Partisë Socialiste lidhur me emrat e personave që pa pasaportë që nuk kanë aplikuar ende. Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni i ka dërguar një letër selisë rozë dhe në dijeni të saj janë vënë edhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Misioni i ODIHR-it, në të cilën thuhet se procesi i aplikimit po ecën me ritme shumë të mira. Sipas informacioneve të ministrisë deri në 26 maj kanë aplikuar 1.100.173 qytetarë dhe nga 979.763 aplikime që janë hedhur në sistem, rezulton se numri i shtetasve pa pasaportë që kanë aplikuar është 404.956. “Duke pasur parasysh shumën e përgjithshme 1 100 173 (një milion e njëqind mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tre) të personave që kanë aplikuar, do të thotë se totali i përgjithshëm i personave pa pasaportë që kanë aplikuar deri në datën 26 maj 2009 është rreth 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë)”, thuhet në letër. Në të njëjtën kohë sipas ministrisë, 160 mijë deri në 260 mijë qytetarë që rezultojnë në listën e atyre pa pasaportë janë jashtë shtetit si pasojë e emigracionit të paligjshëm. Ministria garantoi gjithashtu, se deri në 14 qershor mund të aplikojnë deri në 500 mijë qytetarë, ndërkohë që i ka vënë PS-së në dispozicion listën e votuesve pa pasaportë, që kanë mbetur ende pa aplikuar për letërnjoftimin elektronik.