Urdhri, pa kartë identiteti nuk do jepet ndihma ekonomike
Të gjithë personat që përfitojnë ndihmë ekonomike duhet të aplikojnë me detyrim për kartat e identitetit. Në të kundërt nuk do marrin asistencën. Këtë urdhër nxori dje Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi. Sipas tij, gjithçka me qëllim nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me Karta Identiteti”. Kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk posedojnë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin”, saktëson urdhri. Sipas tij, personat me aftësi të kufizuara që nuk posedojnë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Gjithashtu personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk posedojnë pasaportë, për ta përfituar pagesën duhet të depozitojnë pranë zyrave rajonale dhe vendore të punësimit fotokopjen e kartës së identitetit. “Inspektorët rajonalë janë udhëzuar të ndjekin zbatimin e urdhrit dhe të raportojnë në mënyrë periodike pranë Kabinetit të Ministrit të Punës, mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identitet”, sqaron Ministria e Punës.