PS, në Kolegj vendimet e KQZ
BLEDAR HOTI
Nis procesi i ankimimit të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partitë politike të opozitës kanë nisur prej disa ditësh procesin e ankimimit të vendimeve të KQZ-së, në lidhje me procesin e numërimit të votave. Në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit janë depozituar tre ankesa në lidhje me vendimet e fundit të marra nga ana e KQZ-së, që kanë të bëjnë me ngritjen e Vendeve të Numërimit të Votave dhe me vendimin për ndarjen e numëruesit të tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave. Partia Socialiste ka kontestuar këto vendime, duke i cilësuar si të padrejta. Në një nga ankimimet, përveç PS-së, është bashkuar edhe PSD-ja, të cilët kontestojnë vendimin për caktimin e numëruesit të tretë dhe të katërt nga KQZ-ja, duke renditur nga ana e opozitës partitë që deri dje ishin në koalicionin qeverisës si PDK dhe PBDNJ. Caktimi në krah të opozitës të këtyre partive u kontestua që në mbledhjen e KQZ-së nga partitë e opozitës, duke e cilësuar si të pa drejtë heqjen nga maxhoranca të PDK-së dhe të PBDNJ-së. Vetë Kuvendi në shkresën përcjellëse ndaj KQZ-së bënte të ditur se PDK dhe PBDNJ nuk ishin pjesë e koalicionit qeverisës, duke renditur vetëm partitë si PAA dhe PR. Nisur nga këto pakënaqësi, partitë politike i janë drejtuar Kolegjit Zgjedhor për të ankimuar sipas ligjit vendimin numër 173 të KQZ-së. Socialistët, sipas përfaqësuesit të saj në KQZ, janë kundër caktimit në ambiente private të Vendeve të Numërimit të Votave në zonën e Paskuqanit dhe të Bushatit. Ndërsa për dy çështjet është përcaktuar data e dhënies së vendimit që është 1 qershori. Gjithashtu Kolegji ka përcaktuar edhe relatorët e çështjes që janë Sashenka Jonuzi dhe Marie Qirjazi. Pas paraqitjes së dokumentacionit nga palët ankimuese, Kolegji pritet të japë vendimin për pretendimin e partive politike. Përcaktimi i vendeve të Numërimit të Votave ishin si mjaft parësore nga ana e KQZ-së, pasi në to për herë të parë do të realizohen edhe instalimi i kamerave që do të filmojnë procesin e numërimit të votave. Ky është një proces që realizohet për herë të parë, por që kërkon që kohë për vendosjen e infrastrukturës, si instalimin e kamerave, televizioneve dhe të materialeve të tjera për se të realizohet procesi i numërimit të votave. Kodi Zgjedhor i jep përparësi caktimit të vendeve të numërimit të votave në ambientet publike, në institucionet shtetërore kryesisht. Por i jep të drejtën që në rastet e mungesës së këtyre vendeve, atëherë mund të preferohen edhe ambientet private.
Ankimimet e vendimeve
PS dhe PSD ankimojnë vendimin e KQZ-së për VNV e Paskuqanit PS ankimon vendimin e KQZ-së për VNV e Bushatit PS ankimon vendimin e KQZ-së për caktimin e numëruesit të 3 dhe 4 të votave