Vrasësi i policëve, me helikopter në kryeqytet
Afrim Hasani i arrestuar për vrasjen e dy efektivëve të qarkullimit është transportuar nga ajri për motive sigurie
Frika e ndonjë hakmarrjeje, ka detyruar Policinë, të shmangë transportin me mjete rrugore në drejtim të spitalit ushtarak të të arrestuarit
TIRANE- Frika e mundshme të ndonjë hakmarrjeje nga familjet e dy policëve të vrarë prej Afrim Hasanit në Kukës, ka detyruar policinë të marrë një masë të lartë sigurie për transportimin e tij drejt kryeqytetit.
Ai është transportuar me një helikopter të forcave të RENEA-s të cilët kishin mbërritur në këtë qytet që prej të hënës në mbrëmje kur ai vrau me armë zjarri dy efektivët e policisë lokale të qarkullimit rrugor, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.
Transportimin e tij në drejtim të Tiranës, si një masë sigurie e kanë konfirmuar për "Shekullin", burime të policisë të cilët kanë pohuar se e kanë marrë si një masë për të qenë të sigurt për jetën e tij, pavarësisht faktit të krimit të tij.
Ai mbrëmjen e të martës është nisur në drejtim të kryeqytetit, ku ka marrë një mjekim në spitalin ushtarak, ndërsa dje në mëngjes është dërguar në masa të rrepta sigurie gjithashtu në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Arrestimi i "vrasësit" të dy policëve në Shëmri të Kukësit, shtetasit Afrim Hasani ka ardhur edhe me ndihmën e motrës së tij dhe vjehrrit, të cilët janë "përdorur si karrem" për dorëzimin e tij nga efektivët e forcave speciale të mbërritura në Kukës, pas ngjarjes së dy netëve më parë ku mbetën dy policë të vrarë.
Fakti bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të cilët që momentin e ngjarjes kanë zbarkuar në fshatin Shënmri për të organizuar në bashkëpunim me policinë lokale arrestimin e "vrasësit".
Ky i fundit pas 14 orëve arrati ka pranuar të dorëzohet në duart e bluve e vënë nën presion nga policia edhe nëpërmjet motrës së tij si dhe vjehrrit të tij, të cilët gjithashtu i kanë kërkuar atij të dorëzohej.
"Mëngjesin e dy ditëve më parë, personi në kërkim Afrim Hasani ka shfrytëzuar njohjen e terrenit për t'u fshehur në një shtëpi të braktisur në fshatin Petkaj, në një distancë të largët me banesën e tij. Menjëherë pasi ka qëlluar me armën e tipit "Kallashnikov", dy policët në lokalin ku po pinin kafe, ai mori arratinë duke u strehuar në një nga shtëpitë e braktisura.
Rrugës për në këtë banesë, ka marrë në telefon vjehrrin e tij, duke i kërkuar të shkojë të marrë vajzën se do të vriste veten. Më pas ka marrë motrën në telefon, duke ia lënë amanet rritjen e vajzave se do vriste veten.
Pas kësaj bisede e ka mbyllur telefonin për ta hapur mëngjesin e 24 marsit, ku i ka bërë një telefonatë motrës duke i thënë se po afrohem për në shtëpi. Një nga antenat e kompanive celulare ka lokalizuar vendndodhjen e numrit telefonik që mbahej nga Hasani, ndërsa është urdhëruar rrethimi i banesës nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë të ardhura nga Shkodra.
Pas rrethimit, është negociuar me të, me ndihmën e motrës dhe vjehrrit dhe në këmbim të mos ekzekutimit të tij, Afrim Hasani ka pranuar të dorëzohet"- thanë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se prokurori që ka marrë hetimin dhe zbardhjen e vrasjes së dyfishtë Ardian Nezha, me një nga oficerët e këtij institucioni, mbrëmjen e 23 marsit kanë zbarkuar në fshatin Shënmri për të ndjekur hetimet nga afër.
Mësohet se në momentin e dorëzimit, Hasani kishte pësuar disa trauma të ftohjes dhe është sjellë direkt e në Spitalin Ushtarak për tu dërguar më pas në qelitë e izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Gjatë paradites së djeshme, arma e sekuestruar e tipit "Kallashnikov" i është nënshtruar ekspertimit balistik, për të vërtetuar se ajo armë është përdorur në ekzekutimin e dy policëve Dobroshi e Hila. Sipas akuzës, gjatë ditës së sotme pritet që Afrim Hasani të merret në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Dyshohet që vrasja ka ardhur pas kallëzimit të dy efektivëve të policisë për kundërshtimin e tyre dhe fyerjen, të bërë në prokurorinë e Kukësit në procedimin penal me nr. 59 të hetimit.
Policia: Eshtë dërguar për t'i kryer një vizitë psikiatrike për shëndetin mendor
Hasani në spital me plagë
Mbrëmjen e së martës, Spitali Ushtarak në Tiranë është blinduar nga forca të shumta policie pas mbërritjes së Afrim Hasanit, i akuzuar për vrasjen e dy policëve të Kukësit. Sipas mjekëve të spitalit ushtarak, Hasani, ka pasur dëmtime në hundë dhe në fytyrë, por gjendja e tij nuk ka qenë problematike. Hasani ka qëndruar një natë në spitalin deri në përmirësimin e plotë të gjendjes së tij.
Afrim Hasani u transportua pasditen e së martës në Spitalin Ushtarak të Tiranës, për të marrë një mjekim. Sipas policisë ai ishte dërguar për të kryer një vizitë tek një psikiatër, për shkak të dyshimeve të tyre mbi gjendjen e tij psikike.
"Rreth orës 19:00 të mbrëmjes të së martës, Afrim Hasani mbërriti në Spitalin Ushtarak pasi kishte plagë. Ai iu nënshtrua mjekimit për dëmtime që kishte në pjesën e hundës, por që nuk qenë të rrezikshme", - thanë për "Shekullin" mjekët e spitalit Ushtarak në Tiranë.
Afrim Hasani nën masa të rrepta sigurie u mbajt, për gjatë natës së të martës duke u gdhirë dita e djeshme. Pasi gjendja e tij u normalizua i akuzuari për vrasje të dyfishtë u transportua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku edhe është i izoluar aktualisht në qelitë e saj.
Kapet me pistoletë: Ma shiti superhajduti i mitur
Superhajduti i mitur i dyshuar si shitës pistoletash. Emri i 11-vjeçarit M.C, ka rënë sërish në "veshët" e inspektorëve të policisë por kësaj here jo për ndonjë vjedhje por për shitjen e një pistolete. Ka qenë arrestimi i 23-vjeçari Rinor Osmanaj për "armëmbajtje pa leje" shkaku që ka detyruar policinë të vihet sërish në kërkim të minorenit.
Burime nga policia e kryeqytetit thanë se dy ditë më parë, efektivat e komisariatit nr.3, kryen arrestimin në flagrancë të 23-vjeçarit Osmanaj i dënuar më parë për vjedhje, pasi gjatë një kontrolli ju gjet një pistoletë tip "TT" model 54 si dhe dy krehëra, të cilët janë sekuestruar si provë materiale.
Osmanaj u mor në pyetje nga oficerët e policisë, ku deklaroi se pistoletën ia kishte blerë 11-vjeçarit M.C, i njohur nga policia si superhajdut. I riu i kishte dhënë të miturit 20 mijë lekë për të blerë pistoletën.
Fill pas deklaratës së të arrestuarit forcat e policisë ushtruan një kontroll të imtësishëm në banesën e 11-vjeçarit ku gjetën një tjetër pistoletë tip "TT" model 54 si dhe një krehër me një fishek. Burime nga policia thanë se ende nuk kanë mundur të kapin të miturin i cili do të merret në pyetje për pistoletat që posedon.
"Nuk dihet ende se ku i gjen i mituri pistoletat, pasi në banesën e tij janë ushtruar kontrolle edhe më parë por nuk janë konstatuar armë" thanë për "Shekullin" burime nga policia të cilat shtojnë se po punohet për kapjen e të miturit.
Prangoset me 12 doza heroinë në shtëpi
Antidroga e policisë së Tiranës çon në qeli një 26-vjeçar të dyshuar si shpërndarës heroine.
Ergys Hotaj, 26-vjeç, u arrestua në orët e para të ditës së djeshme pasi u kap me një sasi droge e dyshuar heroinë në rrugën "Perlat Rexhepi", pranë fakultetit Juridik në Tiranë. Burime zyrtare nga policia thanë se gjatë një kontrolli fizik që iu ushtrua të riut ju gjetën afro 0.2 gramë, lëndë narkotike e dyshuar si heroinë.
Ndërsa, nga kontrolli i kryer në banesën e tij u gjetën pesë copa letre varaku të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë, me peshë 6.2 gramë. Në cilësinë e provës materiale të arrestuarit iu sekuestruan gjashtë doza lënde të dyshuar narkotike e llojit heroine, dy telefona tip-Nokia dhe Samsung.
Ndërkohë që në deklaratën e tij 26-vjeçari ka mohuar faktin se është shpërndarës droge duke deklaruar se drogën e kishte për përdorim vetjak, gjë e cila nuk është marrë parasysh nga policia.