KQZ në dalldi politike, vetëlavdërime për zgjedhjet
Arsyet politike dhe ekonomike për të protestuar përditësohen në vijimësi nga opozita. Kështu, dje si shkak për të përforcuar thirrjen për reagim qytetar ndaj qeverisë, ka shërbyer raportimi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Detajet e dhëna prej tij, janë vlerësuar nga deputeti socialist, Saimir Tahiri, si një shkak më shumë për të kuptuar më mirë korrupsionin që karakterizon shumicën aktuale, ku KQZ, sipas tij, është vetëm një instrument. “Dalldia politike, ligjore dhe institucionale u pa qartë në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ku deputetët e mazhorancës dhe partizanët e KQZ, në vend që të nxirrnin përgjegjësitë për dështimin e procesit zgjedhor, lëvduan veten...”, theksoi Tahiri. Përkundrejt këtij reagimi që po shihet si përpjekje për të certifikuar zgjedhjet e kontestuara, ai ka ripohuar thirrjen për protesta si i vetmi mjet i mbetur për të imponuar transparencën. “...protesta në çdo cep të vendit deri në zyrën e Kryeministrit, protestë që do ndalet atëherë kur Kryeministri dhe mazhoranca do t’i nënshtrohen ligjit...”, u shpreh deputeti socialist, duke rikonfirmuar përgatitjen e opozitës për nisjen e politikës nga rruga në funksion të transparencës së zgjedhjeve.
#