E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kërkimi në bazën sekrete për pengjet e SHIK në ’95”

 

Armand Bajrami

Ilir Cenollari, ish-drejtor i komanduar në SHIK pas vitit 1997, dëshmoi dje në procesin gjyqësor në ngarkim të katër ish-agjentëve sekretë të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës në tetor 1995. Ai rrëfeu para togave të zeza të Krimeve të Rënda, verifikimet që ka bërë në terren për denoncimin e Ziso Kristopullit, se punonjës të SHIK-ut e kishin rrëmbyer dhe dhunuar në një ndërtesë sekrete në Lezhë. Sipas Cenollarit, në lidhje me pretendimet e Kristopullit ishte kërkuar informacion edhe nga Presidenca. Në dëshminë e tij ai sqaroi se Kristopulli kishte njohur shtëpinë ku ishte mbajtur dhe torturuar në Vain të Lezhës. Gjithashtu ai pohoi se çdo veprim i tyre ishte i dokumentuar dhe se mund të verifikohej. Më poshtë vijon e plotë dëshmia e zyrtarit të Shërbimit Sekret dhënë dje para Gjykatës së Krimeve të Rënda:
Prokurori: Na thoni dëshmitar nëse keni punuar në Shërbimin Informativ Kombëtar? Në rast se po në çfarë periudhe?
Po. Kam punuar në SHIK nga viti 1997 e në vazhdim.
Prokurori: E njihni shtetasin Ziso Kristopulli? Në rast se po, në ç'rrethana jeni njohur?
Po, e njoh Ziso Kristopullin. E kam njohur rastësisht gjatë detyrës që kam kryer si punonjës i SHIK-ut. Në vitet 1998-'99, Ziso Kristopulli ka bërë ankesë. Ai ka ardhur i shoqëruar nga punonjësit e shërbimit tonë. Ka bërë një ankesë, ku pretendonte se ishte dhunuar nga ish-punonjës të shërbimit tonë përpara vitit 1997. Kjo është njohja e vetme që kam pasur me të. Pastaj janë informuar në rrugë zyrtare edhe instanca të larta të shtetit, sipas ligjeve në fuqi. Pra, ka qenë një informacion i njohur si pasojë e veprimtarisë zyrtare, jo një njohje e drejtpërdrejtë.
Prokurori: Në kohën që jeni njohur, çfarë detyre keni kryer?
Në kohën që e kam njohur unë kam qenë drejtor i komanduar i Drejtorisë nr.4.
Prokurori: Në ç'rrethana jeni njohur, ka ardhur ju ka takuar vetë, apo jua ka sjellë dikush tjetër?
Ai ka ardhur nëpërmjet punonjësve të Shërbimit Informativ të Sarandës, shoqërisht. Është pyetur, është marrë një informacion dhe për këtë thashë, është informuar.
Prokurori: Nga ana juaj është bërë ndonjë verifikim në lidhje me çfarë kë pretenduar Kristopulli?
Ne kemi bërë përpjekje, pasi na është kërkuar nga Presidenca e atëhershme, është kërkuar informacion. Shërbimi ka mbledhur informacion për të ndihmuar zbardhjen e kësaj çështjeje dhe është informuar në rrugë zyrtare (Presidenca). Kjo mund të verifikohet se është informacion i dokumentuar në rrugë zyrtare.
Prokurori: Me shtetasin Ziso Kristopulli keni shkuar të bëni verifikime?
Është e vërtetë që janë bërë verifikime në terren. Shtetasi është marrë, siç ka ardhur nga Saranda dhe është shoqëruar nga unë dhe nga drejtori i SHIK-ut të Sarandës, Menduh Matrani, deri në Lezhë. Kemi vajtur tek një shtëpi. Ka qenë e shkatërruar. Aty Kristopulli kujtoi që "më kanë sjellë në këtë vend".
Prokurori: Si quhej vendi ku shkuat?
Kune. Në Kune të Lezhës.
Prokurori: Ju shpjegoi se si kishte shkuar aty?
Mua kaq më kujtohet që "këtu më kanë sjellë punonjësit e Shërbimit të asaj kohe, kanë përdorur dhunë ndaj meje". Ndonjë gjë tjetër nuk mbaj mend.
Avokati: Në çfarë viti bëhet fjalë?
Besoj '98-'99. Atëherë duhet të jetë, diçka e tillë, por ka kaluar kohë dhe nuk e mbaj mend vitin e saktë. Gjithçka është e trajtuar në rrugë zyrtare. Informacioni është i dokumentuar dhe ai informacion është përcjellë sipas varësisë, funksionimit që ka vetë Shërbimi. 
Avokati: Të gjitha këto i keni me deklarime të Zisos?
Ne nuk kemi të drejtë si institucion të marrim deklarata, sepse ka një prokurori që e ka për detyrë.
Avokati: Me çfarë dokumentesh i kryet veprimet?
Ne kemi mënyrën tonë të trajtimit. Ne jemi organ informativ. Nuk kemi të drejtë të gjejmë prova. U bë një kërkesë nga institucionet e shtetit dhe në bazë të të gjitha rregullave që ka shërbimi. Është dokumentuar çdo gjë në rrugë zyrtare.
Avokati: Kur keni bashkudhëtuar me Kristopullin, a ju ka përmendur ndonjë emër konkret për personat të cilët e kishin dhunuar?
Jo, nuk mbaj mend.
Prokurori: Nëse ju kujtohet emri Avni Koldashi, ua ka përmendur?
Jo.
Gjykata: Vutë re shenja dhune fizike tek Kristopulli?
Jo, kishte kaluar shume kohë.
Gjykata: Thatë se ju nuk e keni për detyrë, pse pranuat të bisedonit dhe nuk e orientuat tek organet që e kanë për detyrë këtë çështje?
E kemi orientuar. Ai ka bërë denoncime publike, i ka publikuar këto në shtyp. Në rrugë institucionale ne kemi bërë punën tonë në bazë të të gjitha rregullave. Kjo është e dokumentuar.

Lexohet edhe rrëfimi i të vdekurit

TIRANE - Në seancën e djeshme të dosjes "Remzi Hoxha", gjykata është njohur edhe me dëshmitë e Haziz Terzisë, ish-shofer i SHIK-ut, si dhe Maksim Kroi, banor i Ksamilit. Terzia ishte i pranishëm dje në sallën e gjyqit. Për Kroin gjykata dëgjoi deklarimet e dhëna prej tij për Prokurorinë në shkurt të vitit 2003, pasi ai nuk jetonte më. Terzia shpjegoi dje anë teknike të funksionit të tij si shofer në Shërbimin Sekret. "Në vëzhgime, unë i merrja urdhrat nga grupi i vëzhgimit", tha ai. Ndërsa Kroi, në vitin 2005 ishte punonjës në pularinë e Ziso Kristopullit në Ksamil. Ai e kishte marrë vesh nga gruaja e tij se Kristopullin e kishin marrë disa persona me një makinë rreth orës 6 pasdite.                                                                                                                                  ar.ba

Kontradikta me dëshminë e Fatos Klosit
TIRANE - Gjatë dëshmisë së tij te Krimet e Rënda, Ilir Cenollari ka përsëritur shumë dokumentimin e veprimeve që kanë kryer në lidhje me Ziso Kristopullin. "Është dokumentuar çdo gjë në rrugë zyrtare dhe mund të verifikohet", u dëgjua të thotë ai disa herë dje. Ndërsa krejt e kundërta u pohua dy seanca më parë nga ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi. "Kam bërë të gjitha verifikimet e mundshme në arkivat e SHIK-ut, por nuk kam gjetur asnjë dokument në lidhje me shoqërimin e shtetasve Remzi Hoxha, Abdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli", bëri të ditur Klosi për gjykatën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›