E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ nuk pranon ankesat e LZHK-së për disa KZAZ

LZHK, e cila në votimet e 28 qershorit kryesonte koalicionin e djathtë "Poli i Lirisë'', përmes ankesës së saj pranë komisionit zgjedhor kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në disa KZAZ-të të Qarkut Tiranë 

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) rrëzoi mesditën e sotme kërkesat e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar (LZHK) për rinumërim dhe rivlerësim të votave në disa KZAZ të Qarkut të Tiranës.
LZHK, e cila në votimet e 28 qershorit kryesonte koalicionin e djathtë "Poli i Lirisë'', përmes ankesës së saj pranë komisionit zgjedhor kontestoi tabelën përmbledhëse të rezultateve në KZAZ-të nr. 45, 47, 49 dhe nr. 51 të Qarkut Tiranë, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave.
Anëtarët e KQZ-së refuzuan t'i pranojnë këto ankimime të paraqitura nga LZHK, pasi, sipas tyre, ato nuk respektojnë kriteret e përcaktuara në nenet 124, 126 dhe 130 të Kodit Zgjedhor.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga KQZ mbrëmjen e 3 korrikut, koalicioni "Poli i lirisë", grupim i gjashtë partive, mori në zgjedhjet e 28 qershorit 27.493 vota ose 1.82%.
KQZ e ndëpreu rreth orës 11.40 mbledhjen për të saktësuar dokumentacionin e rezultateve të qarkut Shkodër, që pritet të miratohen sot. Gjithashtu, po sot pritet dhe shqyrtimi i p/vendimit për miratimin e tabelës përfundimtare të rezultateve të qarkut Fier. Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në qarkun Fier koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 7 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 8 mandate, ndërsa LSI 1 mandat. PS pretendon se me kutitë e panumëruara do të sigurojë mandatin e saj të nëntë ne këtë qark.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›